Kryeministri Kurti priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky

Aktuale

Kryeministri Kurti priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 18:38
Pamje nga takimi

Marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, si dhe fushat me potencial për bashkëpunim, u theksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e Çekisë dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës, para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë, në arenën ndërkombëtare, në siguri dhe projekte zhvillimore.

Ministri Lipavsky theksoi mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për aspiratat e Republikës së Kosovës për integrime evropiane dhe euro-atlantike, ndërsa tha se e përkrahë angazhimin e përbashkët drejt liberalizimit të vizave.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai e falënderoi Ministrin Lipavsky për mbështetjen e Republikës Çeke për Kosovën dhe trajtimin e kësaj çështje si prioritet gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

U bisedua për rëndësinë e integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në nëntor.

Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, ministri Lipavsky u shprehë mirënjohës për bashkërendimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe pozicionimin e qartë të vendit tonë. Ai e falënderoi Kryeministrin Kurti për qëndrimin e vendosur në përputhje me qëndrimet e BE-së. Po ashtu ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian kundër luftës hibride.

Kryeministri Kurti dhe Ministri Lipavsky u pajtuan për rritje të bashkëpunimit në ekonomi, shkëmbime tregtare, kulturë, siguri si  dhe teknologji të informacionit dhe komunikimit. U theksua potenciali i madh për thellim të marrëdhënieve bilaterale si mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, po ashtu edhe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat