LDK: Qeveria s’ka të drejtë ligjore të ndërpresë pagat e mësuesve

Aktuale

LDK: Qeveria s’ka të drejtë ligjore të ndërpresë pagat e mësuesve

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 17:14
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mos procedimin e pagave ndaj mësimdhënësve për muajin shtator, duke thënë se një gjë e tillë është e pamoralshme dhe tendencë për hakmarrje.

Në komunikatë thuhet se Qeveria në vendimin e saj mbështetet në nenin 18 të Ligjit për Greva, duke injoruar në tërësi nenin 13, i cili flet për mbrojtjen e të punësuarve gjatë grevës. 

“Ky nen shprehimisht thotë se “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale... Masat materiale në këtë raport kontraktual kanë të bëjnë pikërisht me pagën dhe kontributet. Dukshëm ka kundërthënie në mes të Nenit 13 dhe 18, me ç’rast kjo kundërthënie nuk mund të interpretohet në dëm të palës që nuk e ka hartuar ligjin, e që janë grevistët”, thuhet në komunikatë. 

Për më tepër, LDK thotë se Qeveria me masat e saj po varfëron familjet duke lënë 23.173 mësimdhënës pa paga, në kohën kur inflacioni vetëm ka shkuar në 20%.

“Me inflacion ka zvogëlim të pagave në mandatin e kësaj qeverie, kurse me hakmarrjen e fundit ka ndërprerje të të hyrave për mbi 23 mijë familje”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos i procedojë pagat për muajin shtator për mësimdhënësit në arsim për shkak të grevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat