Kurti: TIK-u, një nga sektorët prioritarë, me potencial për rritje dhe inovacion

Aktuale

Kurti: TIK-u, një nga sektorët prioritarë, me potencial për rritje dhe inovacion

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 15:01
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Në konferencën më të madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi rolin e KOSICT në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit: ndërmjet sektorit publik, sektorit privat dhe akademisë, nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

Në njoftimin e Zyrës së kryeministrit mes tjerash thuhet se, në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, transformimi digjital shtrihet gjithandej, duke takuar digjitalizimin dhe industrinë, sektorin privat dhe publik, por edhe kujdesin shëndetësor, arsimin dhe veçanërisht administratën publike, tha kryeministri.

Me këtë rast Kurti theksoi se me shumë kompani shumë kompetente të TIK-ut dhe një komunitet vibrant të profesionistëve të TIK-ut, TIK-u është një nga sektorët e paktë në të cilin vendi ynë ka një bilanc tregtar pozitiv.

“Nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Smart Specialization Strategy e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritar në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion”, tha kryeministri Kurti.

Ai foli për angazhimin e Qeverisë, në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit kombëtar të inovacionit. Po ashtu, veçoi mbështetjen për përfundimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.

“Zbatimi i transformimit digjital, garantimi i sigurisë kibernetike, zhvillimi i profesionistëve të aftë dhe ndërtimi i ekosistemit të inovacionit - secili prej këtyre objektivave kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik dhe privat”, tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, është e hapur, e gatshme dhe e interesuar për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat