Destabilizimi nga Rusia e Kina, kreu i AP të NATO-s vjen me një kërkesë për shtetet e Ballkanit

Aktuale

Destabilizimi nga Rusia e Kina, kreu i AP të NATO-s vjen me një kërkesë për shtetet e Ballkanit

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 11:26 më 08.10.2022
Pamje nga Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

​Kreu i AP të NATO-s: Të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nga Rusia e Kina

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly, ka kërkuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që së bashku me vendet euroatlantike të punojnë për të parandaluar destabilizimin e rajonit pas agresionit rus në Ukrainë.

Në videomesazhin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Connolly u shpreh se invazioni rus ka cenuar peizazhin e sigurisë në botë, ndërsa vendet demokratike duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës për të kaluar edhe këtë sfidë.

Connolly: Duhet të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit nga Rusia dhe Kina

“Me këtë agresion Rusia dëshiron që të shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe ta bëjë këtë edhe kudo. Shtetet tona duhet të qëndrojnë me njëra-tjetrën me të gjitha kombet demokratike për të luftuar këtë krim që po e bënë Rusia ndaj demokracive të tjera... Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtete euroatlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga fuqitë jo demokratike siç janë Rusia dhe Kina”, tha ai.

Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, u shpreh se fakti që Kosova po mirëpret këtë seminar për herë të dytë tregon se është e përkushtuar drejt sigurisë në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë.

Ai tha se për Zvicrën paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme.

Kolly: Për Zvicrën shumë e rëndësishme paqja në Ballkanin Perëndimor

“Diskutimet tona janë më një synim të përbashkët, promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin Perëndimor në kontekst të integrimit evropian të këtij rajoni... Në dritën e luftës së Rusisë në Ukrainë që është në kundërshtim me drejtën kombëtare dhe vlerat themelore, diskutimi për siguri që ka të bëjë me shqetësimet në kontinentin e Evropës është më i rëndësishëm se kurrë duke pasur parasysh sfidat aktuale të sigurisë, promovimi i standardeve demokratike dhe roli qe ka parlamenti në mbikëqyrje është jashtëzakonisht i rëndësishëm... Paqja në Ballkanin perëndimor mbete njëra nga prioritet e politikës së jashtme të Zvicrës.. kontributi i Zvicrës ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor është i shumëfishtë”, tha ai.

Sot në Prishtinë filloi punimet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, në të cilin janë paralajmëruar më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin treditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Osmani: Serbia po afrohet me Rusinë kurse Kosova do anëtarësimin në NATO

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është shumë e qartë në objektivat e saj e që është anëtarësimi në NATO. Ajo ka kërkuar mbështetje nga të gjitha vendet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partnerit për Paqe. Sipas Osmanit, ndryshe nga Serbia, Kosova është e përkushtuar për rrugën evropiane dhe demokratike.

Këto deklarata Osmani i bëri në hapjen e punimeve të Seminari të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.

Osmani u shpreh se aktualisht po kërcënohet stabiliteti, demokracia dhe paqja në mbarë botën ndërsa në vijimësi ka sulme të sofistikuara hibride. Ajo ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në qendër të vëmendjes nëpër zhvillimet që po kalon bota.

Osmani: Ballkani Perëndimor i di mirë pasojat e luftërave

“Vlerat demokratike dhe rregullat mbarë botërore jo vetëm që po kërcënohen por janë duke u sulmuar... Fokusi në zhvillim e sipër në çështjet e sigurisë nga Aleanca Euroatlantike ka ndikim të madh si në Kosovë ashtu në NATO, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihen si një problem i jashtëm që konkurrojnë për të marrë vëmendjen e komitetit euroatlantik. Vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë mirë se cilat janë pasojat e luftërave të përgjakshme në mes të Evropës. Përfaqësoj një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimit kundër njerëzimit, sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria kanë sjellë deri tek liria e fituar me gjak dhe me djersë”, tha Osmani.

Osmani deklaroi se Kosova në vazhdimësi është duke kontribuar në çështjet e rëndësishme si dhe është në linjë të njëjtë me vendet demokratike për çështjet nga Rusia e deri te Kina.

Ajo ka thënë se Serbia refuzon të bëhet pjesë e NATO-s dhe është afruar edhe më tej me Rusinë duke treguar shumë për këtë shtet. Ndërsa Kosova kërkon të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe.

Osmani: Duam të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe

“Serbia ka qenë në projekte të përbashkëta me NATO-n derisa e refuzon anëtarësimin në NATO. Përafrimi i saj me Rusinë flet shumë. Ne ende nuk jemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Kosova është e qartë në qëllimin e saj për t’u bërë anëtarë dhe për të kontribuar në këtë drejtim për këtë arsye është shumë me rëndësi që çdo anëtar i NATO-s ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe”, vijoi Osmani.

Presidentja Osmani u shpreh se Kosova asesi nuk mund të merret shembull për atë çfarë po ndodhë, ndërsa tha se i vetmi krahasim është ajo se çfarë po përjetojnë ukrainasit sot me shqiptarët e Kosovës para dy dekadash.

Osmani: Rusia është shkatërruese e paqes

“Rusia është më shumë sesa shkatërrues i projekteve por është një rrezik i vërtetë i paqes dhe stabilitetit.... Putini mundet të tërheq krahasime të papërshtatshme mos të harrojmë që të gjithë ne në Kosovë e dimë që e vetmja që mund të krahasohet ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999, është krimet jashtëzakonshme dhe të tmerrshme që Putini është duke i kryer sot”, tha ajo.

Në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. Ajo do të zgjasë tri ditë.

Konjufca: Kosova krah shteteve demokratike, duam të jemi pjesë e NATO-s

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova është radhitur “natyrshëm e fuqishëm” në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Ai tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO.

Këto deklarata kryekuvendari i bëri në hapjen e punimeve të Seminari të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.

Konjufca u shpreh se shqiptarët e Kosovën e dinë se në çfarë po kalon populli ukrainas pasi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre pasi janë sulmuar nga Serbia para më shumë se dy dekadash. Ai tha se ka një mendësi të njëjtë të Putinit me Millosheviqin.

“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën”, deklaroi Konjufca.

Konjufca u shpreh se Kosova do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që vendi të anëtarësohet në NATO si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një ushtri moderne.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t'i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.

Ndryshe, në takimin treditor të këtij seminari do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat