“Ismail Qemali” mbërriti edhe në veriun e Kosovës në pjesën matanë Ibrit

Aktuale

“Ismail Qemali” mbërriti edhe në veriun e Kosovës në pjesën matanë Ibrit

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 20:20
“Ismail Qemali”

Kremtimi i 28 Nëntorit në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Adem Jasharit dhe përvjetorit të daljes në skenë të UÇK-ës sivjet për herë të parë u shënua edhe në veriun e Mitrovicës, ku “arriti” edhe vet “Ismail Qemali” – Bedri Selmani që është kopje e gjallë e plakut të Vlorës.

Në  të vërtetë “Ismail Qemali”(aktori i mirënjohur mitrovicas Bedri Selmani) ” arriti” në veri të Mitrovicës, duke sjellë imazhin e plakut të Vlorës në Kullat e Kadri Kadriut me monodramën “Cili je, cili je” që flet për jetën edhe të veprimtarinë dhe bëmat e Ismail Qemalit që dha të kuptojmë se mund të punohet dhe të festohet edhe në këtë pjesë të qytetit.

Shfaqja është mirëpritur dhe duartrokitur jo vetë, për faktin se është shfaqja e parë që jepet në atë pjesë të qytetit në festimin e një date kaq me rëndësi në historinë e popullit shqiptar, por edhe sepse monodrama e shfaqur hap rrugën artistëve edhe trupave tjera që edhe ato të prezantohen në këtë “oazë” të re të kulturës në Mitrovicën matanë Ibrit.

Roli dhe paraqitja e Bedri Selmanit që ka prapa vetës një bagazh angazhimi në jetën kulturore prej gjysmëshekulli ka impresionuar publikun e pranishëm dhe i ka dhënë dimension tjetër festimit të 110 vjetorit të shtetit shqiptar.

Në këtë Qendër kulturore në veri të Kosovës u mbajt orë letrare e krijuesve mitrovicas. Shumë qytetarë pjesëmarrës në këtë manifestim dhuruan libra për këtë qendër, ndërsa aktori Bedri Selmani në 50 vjetorin e veprimtarisë së tij në teatër dhuroi 50 libra. Po në këtë qendër kulturore në veri të Kosovës u shfaq edhe filmi “Mbledhësit e puplave” me kryeartistin Bekim Fehmiu,

Në kuadër të kësaj kremteje, në Qendrën e Kulturës”Rexhep Mitrovica”u hap ekspozita “Sanxhaku, historia e dhembjes kombëtare”, u mbajtë një koncert festiv nga grupe e ansamble folklorike, shfaqje tetrale e turnir në futboll.

Image
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat