Kronologjia e vrasjes së ‘paralajmëruar’ në oborrin e QKUK-së

Aktuale

Kronologjia e vrasjes së ‘paralajmëruar’ në oborrin e QKUK-së

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 22:45
Foto nga vrasja që ndodhi në oborrin e QKUK-së

Vrasja e 35-vjeçares në QKUK u dënua me fjalët më të ashpra edhe nga udhëheqësit e partive politike, ndërsa Rrjeti i Grupeve të Grave paralajmëroi protesta për të enjten në Prishtinë.

Një 35-vjeçare nga Lipjani është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Gruaja me inicialet H.M. dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë derisa kishte dalë për një shëtitje.

Policia tha se bashkë me prokurorinë po kryejnë hetime për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes dhe për momentin nuk ka të arrestuar lidhur me rastin.

Kryetari i Lipjanit tha se 35-vjeçarja e lindur në Lipjan ishte martuar në Shtime.

Ai tha se viktima ishte më e vogla e shtatë motrave, derisa sipas tij institucionet kanë qenë të njoftuara për rastin e saj.

Ahmeti tha se çifti ishin ndarë para 5-muajsh, derisa tashmë e ndjera pas divorcit kishte jetuar në shtëpinë e agjës pasi nuk kishte as baba e as agjallarë.

Motra e viktimës poashtu tha se autoritetet kanë qenë të njoftuara për shkurorëzimin e 35-vjeçares dhe problemet me ish-bashkëshortin.

Ajo tha se familjarët e burrit i cili dyshohet se e ka vrarë gruan e tij, e kanë lutur motrën e saj të kthehet në shtëpi.

Një tjetër familjarë i tashmë të ndjerës thotë se çifti kishin qëndruar të martuar për rreth 4 muaj dhe se ndarja kishte ardhur edhe me intervenimin e shtetit.

Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, në Radio Dukagjini, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.

Bala, tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.

Ajo theksoi, se lufta ndaj fenomenit të dhunës duhet të jetë e gjithë shoqërisë dhe të mos reduktohet vetëm në institucione.

Balaj ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra të mërkurën mbrëma nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces të ndarjes, ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka kërkuar dorëheqjen e ushtruesit të detyrës drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti nëse konfirmohet se rasti ka qenë i lajmëruar në polici.

“Unë mendoj që drejtori i Policisë  sonte duhet të jap dorëheqje. Si deputet po e them me plot përgjegjësi, nëse rasti ka qenë i lajmëruar në polici”, ka deklaruar Abazi.

Vrasja e shtatzënës nxiti reagime të ashpra në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet t’i jepet fund “valës kriminale” dhe “femicidit” ndaj grave, teksa kërkoi drejtësi për viktimat e dhunës.

Liderët e subjekteve opozitare poashtu reaguan ashpër duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të shtetit dhe shoqërisë ndaj këtyre akteve makabre.

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë të enjten në Prishtinë protesta për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë.

Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”.

Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat