LIVE: Masat emergjente për energji ‘përplasin’ deputetët në Kuvend, opozita me kritika ndaj qeverisë

Aktuale

LIVE: Masat emergjente për energji ‘përplasin’ deputetët në Kuvend, opozita me kritika ndaj qeverisë

Nga: Bota sot Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 06:57 Përditësuar në ora: 14:56 më 08.12.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës

Aliu i bindur se 75% e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu në seancën e Kuvendit gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ka thënë se mbi 75 për qind të ndërtimeve janë ndërtime pa leje.

Sipas tij, 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje, kurse veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje.

“Jemi në situatën kur 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje. Veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje. A din sa është kjo. Në përqindje në raport total mbi 75 për qind të ndërtimeve në komunën e Prishtinës dhe në të gjithë Kosovën që është dhe më lartë, janë ndërtime pa leje”. 

“A e dini që gjithë planifikimi gjatë viteve është bërë pa i konsideruar këto ndërtime pa leje. Kemi pasur planifikime, ka plane të shumta që komuna e Prishtinës asnjë leje s’ka mujt me u lëshu, sepse kanë qenë plane imagjinare. Lagjja e Medresës në Prishtinë, është totalisht pa leje”, tha ai.

Basha me kritika ndaj Liburn Aliut: Po amnistoni mafinë e betonit me Ligjin që sollët në Kuvend

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka kritikuar ministrin Liburn Aliu për plotësimin e ligjit për trajtimeve e ndërtimeve pa leje.

Ai kontestoi në disa pika pretendimet e ministrit Aliu.

“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023… Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat”.

Deputeti pati kritika të ashpra edhe në lidhje me çmimet, 500 metra katrorë të të cilave do të legalizoheshin për 4 000 euro.

“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara”.

“Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit”. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”. 

Më pas, deputeti i VV-së i lartpërmendur u shpreh edhe se po amnistoheshin edhe nga hetimet kriminale keqpërdoruesit në fjalë.

Ndërkohë, edhe deputeti Haki Abazi pati kritika të ashpra duke i kërkuar ministrit që fjalimin e deputetit Dimal Basha ta merrte shumë seriozisht.

Besnik Tahiri: Objektet e ndërtuara ilegalisht në prona publike duhet të rrënohen

Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar seancën plenare për pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 10 dhe 24 nëntor.

Njëra ndër pikat që po shqyrtohet tani është projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Shefi i grupit parlamentar nga AAK-ja, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të mos amnistohen objektet e ndërtuara në pronat publike.

“A e dini pse ka pasur ndërtime pa leje në prona private, për shkak se nuk ka pasur plan urbanistik dhe për shkak se ka pasur korrupsion. Njerëzit kanë ndërtuar në kohën e tyre në mungesë të rolit të shtetit”.

“Vetëm në Prishtinë ka afro 50 mijë ndërtime pa leje”.

“Nuk duhet të amnistohen njerëzit që kanë ndërtuar në prona publike – ato duhet rrënuar”.

Kuvendi miraton vendimin për zgjatjen e masave emergjente në energji

Kuvendi i Kosovës me 61 vota e ka votuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.

Në sallë kanë qenë 77 deputetë në momentin kur është votuar vendimi.

Tahiri kërkon të mos votohet vendimi për masa emergjente në Kuvend

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga deputetët që të mos e votojnë vendimin për masa emergjente.

Ai kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vijë me një strategji konkrete sa i përket kësaj çështjeje.

“Sot mos ta votojmë këtë vendim për masa emergjente, por në kuvend të vijë strategjia në mënyrë që të dihet se cili është plani zhvillimori i qeverisë që ndërlidhet me aspektin zhvillimor”.

“Është duke u diskutuar brenda qeverisë ajo që quhet plani zhvillimor kombëtar. Qysh mund të diskutohet kjo kur nuk ka një strategji energjetike?”.

“Kjo vetëm na kthen mbrapa. Kërkoj që këto masa emergjente të mos votohen. Ky veprim është një veprim që krijon krizë”.

​LDK kritikon Qeverinë dhe KEK-un për dështimin e remontit në Njësinë A-5

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar Qeverinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për dështimin e mbajtjes në funksion të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.

Në seancën e jashtëzakonshme për zgjatjen e masave emergjente, deputeti Gashi theksoi se është pakuptimtë të kërkohet nga Kuvendi zgjatja e masave emergjente edhe për 30 ditë, derisa sipas tij, Qeveria dhe KEK-u kanë dështuar për remontin e njësisë A-5.

Ai tha se 6 muaj ditë kjo njësi mbetet jashtë funksionit, dhe me anë të këtij ligji për masat emergjente, po dëmtohen bizneset.

“Cilat janë kapacitet prodhuese, çka ka bërë qeveria me i mbajtur stabile kapacitetet prodhuese. E ka shpallur tenderin kompania që funksionon në emër të qeverisë, Korporata energjetike e Kosovës për remont të njësisë A5 dhe pastaj e ka anuluar. Dhe kështu qe 5-6 muaj jashtë funksionit, dhe kështu ka dështuar me i kryer punët emergjente që i ka pasur dhe vjen i thotë kuvendit vazhdoni masat edhe 30 ditë. Çka keni me bërë për 30 ditë? Në anën tjetër me këto vendime qeveria po ua mohon të drejtat e qytetarëve për me u ankuar se KEDS-i ka bërë dëm me qindra mijëra euro një kompanie prodhuese. Pra, kështu po u mohohet, me ligj”, theksoi ai. 

Pal Lekaj: Qeveri hajgare, po u tregon qytetarëve si të vishen e lahen dhe si t’i izolojnë shtëpitë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë për masat lidhur me krizën energjetike. Ai në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend për këtë temë ka thënë se Qeveria ka eksperimentuar me masat emergjente.

Ai madje ka shtuar se Qeveria nuk ka bashkëpunim me opozitën. Lekaj ka shtuar se Qeveria nuk e ka marrë seriozisht gjendjen me energjinë.

“Në emër të Grupit Parlamentar nuk di si ta komentoj këtë tentim vendim të qeverisë. Qysh nga fillimi i qeverisjes Kurti nga mosdija për udhëheqje është eksperimentuar në baza emergjente. E nderuar Qeveri, lidhur me këtë temë keni mospërputhje të njohjes së konceptit emergjent sepse është e 6-ta herë që e shpallni këtë gjendje. Tregojuni qytetarëve që nuk bashkëpunoni me opozitën”.

“Tregojuni që jeni Qeveri e hajgareve. Tregojuni si të flenë si lahen, si të vishen e si t’i izolojnë shtëpitë. Për fat te keq për Kosovën kjo qeveri nuk ka lidhur kontratat jashtë shtetit për furnizim me energji. Përballë të gjitha këtyre problemeve vendimi më i mirë është që ta quajmë ministri apo Qeveri emergjente”.

Mustafa i LDK-së e kritikon Qeverinë se nuk morri asnjë veprim për krizën energjetike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti nuk ndërmori asnjë veprim për të gjetur zgjidhje për krizën energjetike.

Mustafa se partia e tij paralajmërimet për krizën energjetike i ka dhënë nga pranvera e vitit 2021.

“Në pranverë të vitit 2021 kur filluan të dalin dhe parashikimet e para që do të ketë krizë energjetike, e të cilat paralajmërime i dhanë dhe ekspertët, dhe ne si LDK duke dhënë edhe mundësi se si të dilet nga kjo krizë. Fatkeqësisht nuk ndodhi asnjëra, as nuk u ula TVSh-ja, asnjë bllok i KEK-ut nuk shkoi në remont”.

“Qeveria i injoroi të gjithë ekspertët vendor e ndërkombëtarë. Shpresuam që qeveria do të marr ndonjë veprim tjetër me ekspertët e saj, por nuk ndërmori asgjë. E gjithë Evropa po ballafaqohet me këtë krizë energjetike, por të gjithë kanë marr masa që të zbusin masat për qytetarët e saj, ndërsa Kosova nuk ka bërë asgjë. I vetmi veprim që kanë marr është shpallja e gjendjes emergjente”.

​PDK kërkon nga Kuvendi shkurtimin e mandatit të ministres Rizvanolli

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar ministren e Ekonomisë se po e keqpërdor Ligjin për masat emergjente në furnizimin e energjisë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka kërkuar nga Kuvendi shkurtimin e mandatit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për siç theksoi se ai shkeljeve ligjore.

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.

Sipas tij, Rizvanolli po e mashtron edhe kryeministrin për strategjinë për energji.

“I nderuari kryetar i Kuvendit, për shkak të këtyre shkeljeve ligjore, të futet në rend dite dhe ta zbatojmë pikën 4 të nenit 25 dhe t’ia shkurtojmë mandatin e kësaj ministre që ta keqpërdorë ligjin. Ministre, ku është strategjia për energji? Na ke premtuar nga marsi, shkoi 1 vit e s’kemi strategji. Pra, si i zgjidhni problemet strategjike kur nuk ka strategji. Për më keq, jo që na ke mashtruar neve, e ke mashtruar edhe kryeministrin. Fatkeqësisht, e dëgjova kryeministrin në forumin e Vjenës, i cili thirret në strategjinë e energjetike. Qysh ka mundësi një kryeministër që thirret në një strategji që s’ka… Do të duhej të ishte alarm institucional edhe prokurorial, por tash s’ka as prokurorë se ua ke zbritur pagat dhe s’ka kush të ndjek. Dhe në anën tjetër zvogëlimi i kapaciteteve prodhuese dhe dëmi shumë i madh financiar”, tha ai.

Deputeti Shala ngriti edhe çështjen udhërrëfyesit për energji në veri, i cili nuk ka nis të zbatohet. 

Shala për zgjatjen e masave emergjente në energji: Qeveria po e keqpërdor ligjin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me sektorin e energjisë.

Sipas tij, ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.

Ai këto komente i bëri në seancën e Kuvendit ku u shqyrtua vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë, duke shtuar se Qeveria po e keqpërdor ligjin.

“Neni 25 i cili po keqpërdoret i ligjit për energji e jep mundësinë e shpalljes së jashtëzakonshme. Por, aty janë nenet pasuese për moskeqpërdorim të gjendjes. Aty thuhet se kur kuvendi e vlerëson që ministrja dhe qeveria nuk po gjejnë zgjidhje hyn në fuqi pika 4 e nenit 25. Aty thuhet se Ministria pas marrjes së masave ka obligim nxjerrjen e akteve ligjore për krijimin e legjislacionit sekondar, por asnjë veprim nuk është marrë deri më tash nga Qeveria në këtë drejtim, vetëm shpallje te gjendjes emergjente dhe asgjë tjetër”.

“Nuk mundemi pa kufi me bë një papërgjegjësi menaxhuese e politike qeveritare. Qeveria e ka për obligim me gjetë zgjidhje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Qeveria po e keqpërdor ligjin që i mundëson shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Duke iu drejtuar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deputeti i PDK-së ka pyetur se ku është strategjia energjetike.

“E nderuara ministre, ku është strategjia? Na ke premtuar nga marsi. Na ke mashtruar neve, por edhe kryeministrin. Si ka mundësi që kryeministri po thirret në një strategji që nuk ekziston?”.

“Çka po ndodh? Cilat masa i ke marrë me B2-shin? Cilët hapa i ke ndërmarrë? Asnjë. Prodhimi në termocentrale ka rënë. Ku mbeti udhërrëfyesi për energjinë?”, është shprehur tutje ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat