​Hoti: Asnjë cent i ndarë nga Qeveria për familjet e dëmtuara nga vërshimet

Aktuale

​Hoti: Asnjë cent i ndarë nga Qeveria për familjet e dëmtuara nga vërshimet

Më: 25 janar 2023 Në ora: 18:03
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për Qeverinë që t’u dalë në ndihmë familjeve të dëmtuara nga vërshimet që ndodhën javën e kaluar në vend.

Hoti ka akuzuar Qeverinë se nuk ka ndarë para për kompensimin e këtyre familjeve që pësuan nga vërshimet në Skenderaj, Klinë, Istog, Mitrovicë e komuna të tjera.

“Vërshimet – ende asnjë cent nuk është ndarë nga Qeveria për familjet e prekura. Shumë vendime qenkan marrë në mbledhjen e Qeverisë sot, por asnjë cent nuk qenka ndarë për kompensimin e familjeve që pësuan nga vërshimet në Skenderaj, Klinë, Istog, Mitrovicë e komuna të tjera. Rezerva shtetërore është për situata kur ndodhin shpenzime të paparashikuara”, ka shkruar ai në Facebbok.

Ish-kryeministri ka kërkuar nga Qeveria që këtyre familjeve t’u ndahet një shumë fikse për gjërat elementare të jetës.

“Ftoj Qeverinë tu ndajë këtyre familjeve menjëherë një shumë fikse për gjërat elementare të jetës: shporet, frigorifer, shtrat, tepihë dhe ushqime bazike. Disa familje kanë humbur edhe rrobat e trupit. Ka familje me të moshuar e fëmijë shumë të vegjël, të cilët nuk mund të kthehen në shtëpitë e vërshuara pa u meremetuar plotësisht. Asnjë meremetim nuk mund të bëhet në këto kushte atmosferike. Ka kohë për vlerësim të detajuar të dëmeve, si në ekonomitë shtëpiake, ashtu edhe në biznese e bujqësi”, ka thënë më tej ai.

Në mbledhjen e mbajtur nga kabineti qeveritar të mërkurën, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se Qeveria do t’u qëndrojë pranë komunave të prekura, ndërsa ka bërë thirrje për “ndërgjegjësim institucional e shoqëror”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat