Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s

Aktuale

Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s

Më: 26 janar 2023 Në ora: 15:21
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të SHBA-ve, të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.

“Pasi që ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, Presidentja Osmani e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Në njoftim theksohet se Osmani, ka thënë se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me Iowa-n, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.

“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowa-s. Falënderoj shtetin e Iowa-s për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit”, është shprehur Presidentja Osmani.

Më tej, Osmani ka theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka kontribuar ndjeshëm në profesionalizimin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë kontribuuese në misionet ndërkombëtare bashkërisht me trupat amerikane.

Ndërkaq gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e Presidentes Osmani, e cila sipas tij do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës. Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat