Publikohen pamjet, Kurti në konferencë me Erdoganin – detajet nga takimi

Aktuale

Publikohen pamjet, Kurti në konferencë me Erdoganin – detajet nga takimi

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 17:36 Përditësuar në ora: 20:34 më 03.02.2023
Kryeministri Albin Kurti dhe Erdogan

Erdogan zotohet që Turqia do t’i ndihmojë Kosovës për më shumë njohje

Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Stamboll, presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka thënë se Turqia do të angazhohet që Kosova të arrijë më shumë njohje.

Ai ka thënë Turqia ishte një prej vendeve të para që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës si dhe ka uruar Kosovën në prag të 15-vjetorit të saj.

Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani”, ka thënë Erdogan.

Erdogan ka shprehur vullnetin e tij që Kosovës t’i ndihmojë edhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, Këshill të Evropës dhe Bashkim Evropian.

Ne po vazhdojmë përpjekjet tona që Kosova ta arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare . Ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësim në NATO, Këshillin e Evropës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai. 

Erdogan mbështetë dialogun Kosovë-Serbi: Turqia e gatshme të ndihmojë nëse i kërkohet

Erdogan mbështetë dialogun Kosovë-Serbi: Turqia e gatshme të ndihmojë nëse i kërkohet

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Stamboll, presidenti turk Recep Tyaip Erdogan ka thënë se shpreson që procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë të përfundojë në një mënyrë që do të sigurojë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Erdogan ka thënë se Turqia i kushton vëmendje të madhe ndërtimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës me fqinjët e saj.

Ne i kushtojmë vëmendje madhore ndërtimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës me të gjithë fqinjët e saj. Në këtë suazë, ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore dhe konstruktive”, ka thënë Erdogan.

Erdogan ka thënë se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetje në këtë proces, nëse kërkohet nga palët.

Shpresoj që procesi i dialogut me Serbinë, të mbyllet duke e siguruar paqen dhe stabilitetin e qendrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të jap kontribut të nevojshëm nëse kërkohet kjo nga palët”, ka thënë Erdogan.

Sipas presidentit turk, angazhimi i Turqisë do të vazhdojë për të forcuar marrëdhëniet e mira me Kosovën.

Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim për të fortifikuar raportet tona vëllazërore me një Kosovë të begatë, e cila do të ishte garancia e paqes dhe stabilitetit”, ka deklaruar ai.

​Turqia mbështet anëtarësim e Kosovës në NATO dhe në KiE

Presidenti i Turqisë, Erduan, ka deklaruar se Turqia shpreson se procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë të përfundojë duke siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Erdogan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Turqia mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shtuar se vendi i tij pret që palët të shfaqin qasje paqësore dhe konstruktive.

Ai ka theksuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën do të vazhdoi në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe një punë intensive për ta arritur numrin e njohjeve të pavarësisë.

Ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE”, tha ai, duke shtuar se kanë trajtuar edhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, industrisë, mbrojtjes dhe luftën kundër terrorizmit”, tha ai.

Erdogan ka thënë se i ka kërkuar Kurtit që të rrisë bashkëpunimin me Turqinë kundër aktiviteteve të grupit FETO në Kosovë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, ka thënë se Kosova është mirënjohës për ndaljen e gjenocidit dhe ndërhyrjen e NATO-S në vendin tonë.

E falënderova presidentin Erduan për përkrahjen e zëshme të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi në Këshill të Evropës, vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilët po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është krijimi i një mjedisi për të tërhequr investitorët në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Turqia është një ndër partnerët kryesor tregtar, kjo na gëzon por nuk duhet të na mjaftojë”, tha ai.

Erdogan tregon si e njohu pavarësinë e Kosovës: SHBA ishin të parët, thashë ne do të jemi të dytët

Presidenti turk, Recep Tayp Erdogan, në konferencën për media pas takimit që pati me kryeministrin kosovar Albin Kurti, ka treguar se si e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Erdogan tha se ishte duke e drejtuar mbledhjen e kabinetit kur mori vesh se të parët që njohën Kosovën ishin SHBA’të.

Pasi nuk patën mundësi me qenë të parët që njohin shtetin e Kosovës, Erdogan kishte thënë se Turqia do të jetë vendi i dytë që do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare.  Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO”, tha Erdogan në konferencën për media.

Kurti në konferencë me Erdoganin, e falënderon Turqinë për përkrahje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media në Stamboll pas takimit që pati me presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Kurti e ka falënderuar presidentin turk për përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës.

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes, për zhvillimet në rajon e më gjerë. Jemi mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, dhe mbështetjen e plotë të pakursyer në politikën e jashtme. E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme në anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës

Në NATO na bashkon orientimi, në Këshill të Evropës vlerat, në të dyjat na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet tona si Republikë e Kosovës është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitor të huaj  në mënyrë që të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme”, tha Kurti.

Kurti ka deklaruar se “në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se pikërisht në Stamboll sot është diskutuar për “raportet miqësore që kemi dhe si mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm”.

“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por nuk duhet të na mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”.

​Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan

I nderuar president i Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan,

Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të Presidentin Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit, kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash.

Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shek. XVI, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina - Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është nga etërit e Rilindjes sonë Kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina. Emrin e të cilit sot e mbanë Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll, nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar.

E në Stamboll sot, bashkë me Presidentin Erdogan biseduam për raportet miqësore që kemi dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm që e kemi. Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme.

E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës.

Një nga synimet tona kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme.

Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij.

Në Kosovë kemi komunitetin turk i cili ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, por jo vetëm, komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot, përfaqësues të këtij komunitetit janë kudo në institucionet qendrore e lokale të Republikës së Kosovës duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë.

Në anën tjetër, qytetarët e Republikës së Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi.

Bashkëjetesa është vlerë e të dy vendeve tona. Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona.

Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim.

Ju faleminderit.

“Welcome, merhaba, how are you” dalin pamjet nga takimi Kurti -Erdogan

Kryeministri Albin Kurti u prit sot në Stamboll nga Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

Sipas pamjeve të publikuar nga pritja që iu bë Kurtit, dëgjohet presidenti turk duke e përshëndetur kryeministrin e Kosovës në gjuhën angleze dhe turke.

“”Welcome, merhaba, how are you”, dëgjohet të ketë thënë Erdogan.

Sipas agjencisë Anadolu, në takimin në Pallatin “Vahdettin” në Stamboll, Erdogan dhe Kurti folën për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në aspekte të ndryshme dhe u diskutuan hapat e mundshëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Po ashtu, gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht për Ballkanin.

Kurti pritet nga Erdogan në një pallat në Stamboll, këto tema do i shqyrtojnë

Kryeministri Albin Kurti u prit sot në Stamboll nga Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. 

Në takimin e mbajtur në Pallatin “Vahdettin” në Stamboll, Erdogan dhe Kurti do të shqyrtojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve midis Truqisë dhe Kosovës dhe hapat e mundshëm që do të rrisin më tej bashkëpunimin dypalësh, raporton agjencia turke e lajmeve “Anadolu”. 

Në agjendë do të jenë edhe pikëpamjet për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti për Ballkanin.

Më pas, Erdogan dhe Kurti do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat