Pas përfundimit të bisedimeve/ Deklarohen emisarët, Kurti dhe Vuçiq - detajet e fundit nga takimi në Ohër

Aktuale

Pas përfundimit të bisedimeve/ Deklarohen emisarët, Kurti dhe Vuçiq - detajet e fundit nga takimi në Ohër

Nga: Bota sot Më: 18 mars 2023 Në ora: 06:57 Përditësuar në ora: 19:37 më 18.03.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ohër, Maqedoni e Veriut, 18 mars 2023.

Borrelli pritet të deklarohet për rezultatin e takimit Kurti-Vuçiq

Bashkimi Evropian ka njoftuar se së shpejti pritet që kryediplomati evropian, Josep Borrell do të mbajë konferencë për të treguar rezultatin e takimit në Ohër.

Kujtojmë se takimi i sotëm për zbatimin e një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur sot paradite me takime të ndara të Kurtit e Vuçiqit me ndërmjetësit e BE-së, Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.

Ndërsa takimi trilateral, Kurti-Vuçiq-BE ka nisur pas orës 14:00 dhe ai po vazhdon ende.

Pas një pauze mbi një orëshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë rinisur bisedimet, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.

Bartësit e dialogut po diskutojnë në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiqit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Tetë orë negociata, Kurti dhe Vuçiq akoma të mbyllur

Pas një pauze që raportohet të ketë qenë rreth një orë, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i kanë vazhduar bisedimet në një vilë shtetërore në Ohër të Maqëdonisë Veriore.

Takimet e para ishin bilaterale mes ndërmjetësve dhe fillimisht Vuciqit e më pas Kurtit dhe kanë nisur pak pas orë 10 në mëngjes.

Pas më shumë se tetë orësh, negociatat kanë vazhduar, tani në takime tripalëshe mes ndërmjetësve evropianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajcakut, me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin serb.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano para disa orësh u ka thënë gazetarëve në Ohër se nuk dihet kur mund të përfundojnë negociatat, duke paralajmëruar se ato mund të vazhdojnë deri në mbrëmje. 

Këshilltari i Konjufcës: S’ka Asociacion që e shkel Kushtetutën – Serbia po kthehet destruktive nga Ohri

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po kthehet nga Ohri destruktive.

Kërçeli tha se nuk ka Asociacion i cili sipas tij e shkel Kushtetutën, e cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

“Serbia kthehet nga Ohri, destruktive si gjithmonë. Veç kësaj radhe do e marrë edhe koston e merituar”, tha ai.

Kujtojmë se aktualisht është duke vazhduar takimi trelateral në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, e ndërmjetësve evropianë, Josep Borrell e Miroslav Lajçak.

Bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiq vazhdojnë

Pas një pauze të shkurtër, takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon.

Më herët kishte informacione për përfundimin e takimit - pak minuta para orës 17:00.

Por bëhej fjalë vetë për një pauzë të shkurtër.

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfundoi.

Temë diskutimi ishte zbatimi i një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Detajet nga takimi, së shpejti.

Pamjet e para të takimit Kurti -Vuçiq në Ohër

Para pak minutash ka nisur takimi trepalësh në Ohër në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në media janë publikuar tashmë edhe pamjet nga salla ku po mbahet ky takim trepalësh në të cilin do të diskutohet për Aneksin e Implementimit të planit franko-gjerman.

Kryeministri Kurti në një deklarim të sotëm për media ka thënë se ende s’ka një dokument të finalizuar dhe pa e pasur një të tillë s’mund të ketë përfundim të bisedimeve e rrjedhimisht as marrëveshje.

Ndërkohë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se s’janë të interesuar për nënshkrim të marrëveshjes sot, por për finalizim të marrëveshjes.

Kurti dhe Vuçiq fillimisht kanë zhvilluar takime të ndara me Borell dhe Lajcak.Të dy liderët janë takuar më 27 shkurt në Bruksel ku kishin rënë dakord për planin franko-gjerman.

Pse ka rëndësi nënshkrimi i zbatimit të propozimit evropian?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po diskutojnë në Ohër për zbatimin e një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky propozim nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por pranim të dokumenteve dhe simboleve shtetërore të njëra-tjetrës.

Kurti ka thënë më herët se është optimist për takimin e sotëm, por se nuk varet gjithçka prej tij.

Vuçiq ka thënë se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në Ohër.

Analistët politikë thonë se nëse Kosova dhe Serbia nuk e nënshkruajnë aneksin e zbatimit të propozimit, ato nuk do të mund të bëjnë asnjë hap drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq përballë njëri-tjetrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e përbashkët, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Stano: Takimi Kurti-Vuçiq mund të përfundojë në mbrëmje

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano nuk ka dhënë detaje për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që po mbahet sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut .

Në një konferencë për medie, ai tha se takimi Kurti-Vuçiq ndoshta mund të përfundojë në mbrëmje.

Ai tha se pas takimit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell do të dalë para gazetarëve.

Ndryshe, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij.

Fillon takimi trepalësh në Ohër

Ka nisur takimi trepalësh në Ohër mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me përfaqësuesin e lartë të BE-së të politikës së jashtme, Joseph Borrell, si dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky takim ka nisur pas takimeve dy palëshe që Borrell e Lajçak zhvilluan së pari me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe më pas me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Para nisjes së takimit me evropianët, kryeministri Kurti është pritur edhe nga emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Pas të përfundojë ky takim pritet që palët t’iu adresohen mediave.

Kujtojmë se në Ohër është edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai në një intervistë për REL sot ka thënë se s’janë të fokusuar te nënshkrimi por tek finalizimi i marrëveshjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat