Presidenti maqedonas publikon pamjet nga pritja e Kurtit dhe Vuciqit
Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, ka publikuar pamjet nga pritja që u ka bërë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit serb Aleksandër Vuciqit dhe ndërmjetësuesve nga Bashkimi Evropian.
Takimi po mbahet në Ohër, ku po qëndrojnë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit maqedonas, të cilët kanë shprehur kënaqësinë që janë nikoqirë të këtij takimi.
Kryeministri Kurti është deklaruar për media, para nisjes së takimeve.
Добредојде за високиот претставник на ЕУ @JosepBorrellF, претседателот на Србија @avucic и премиерот на Косово @albinkurti, во Вила Билјана на работна сесија од преговорите во рамки на дијалогот на високо ниво Белград-Приштина под покровителство на #ЕУ. pic.twitter.com/PlcOVSfXSj
Ai ka thënë se sot bisedon për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Pendarovski uron që Kurti e Vuçiqi të arrijnë marrëveshjen për normalizim raportesh
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se pret që sot pala kosovare dhe ajo serbe të dakordohen për marrëveshjen normalizim të raporteve në mes të dyja shtetet.
Sipas tij, kjo do të ishte një diçka e mirë për të gjithë rajonin.
Ai, në konferencën për medie, tha se është vetëm niqkoqir i delegacioneve.
Ai tha se nuk ka ndonjë informacion për qëndrimet e tyre në këtë takim.
Kovaçevski shprehet optimist se do të arrihet një marrëveshje
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka kërkuar konstruktivitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në takimin e sotëm në Ohër.
Në konferencë për medie të shtunën, ai u shpreh optimist se do të arrihet një marrëveshje sot për planin e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt më Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiq.
Kovaçeski nënvizoi nevojën e arritjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evopian.
I njëjti tha se do t'i shërbejë paqes mes dy vendeve por edhe tërë rajonit ballkanik.
Fillon takimi i Vuçiqit me evropianët
Presidenti serb ka takuar në Ohër shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Takimi dypalësh po mbahet në vilën “Biljana”, ndërsa më pas Borell dhe Lajçak do të takohen edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas orës 12:15 pritet takimi trepalësh i Vuçiqit, Kurtit dhe përfaqësuesve evropianë.
Mysafirët i priti në Ohër presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili pas pjesës protokollare i vizitoi gazetarët dhe kaloi një kohë të shkurtër në një bisedë joformale me ta.
Vuçiq takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi në Ohër kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Takimi u zhvillua në prag të bisedimeve të Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në Instagram, Vuçiq e falënderoi Kovaçevskin për mikpritje dhe dëshirën e tij “për të kontribuar në vazhdimin konstruktiv të dialogut”.
Ndërmjetësuesit evropianë në Ohër
Bisedimet e sotme midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ndërmjetësohen nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti: Do të flasim për Aneksin e Implementmit, s’ka ende tekst përfundimtar e pa të s’mund të ketë marrëveshje
Kreu i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti ka thënë se në Ohër është optimist dhe i vëmendshëm dhe se atje do të bëjë më të mirën në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve.
Ai ka thënë se ka udhëtuar drejt Ohrit me qëllim të mirë që të vazhdohet ajo që kishte nisur në Bruksel më 27 shkurt.
“Kam ardhur me qëllim të mirë, vullnet të mirë dhe një besim që dakordimin e arritur më herët që nuk u nënshkrua më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve përmes planit të zbatimtit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullaksojmë marrëveshjen”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë se në Ohër do të ketë diskutime për Aneksin e Implementimit meqë ende s’ka një tekst përfundimtar. Kurti ka sqaruar se përderisa s’ka ende një tekst përfundimtar, s’mund të ketë përfundim ta bisedimeve dhe marrëveshje.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka thënë Kurti.
Kovaçevski takohet me Kurtin: Uroj biseda produktive
Kryeministri Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, pak para nisjes së takimeve në kaudër të dialogut Prishtinë-Beograd që do të mbahen në Ohër.
Edhe pse nuk ka pasur deklarime për media, në një postim në Facebook, kryeministri maqedonas i uroi Kurtit një ditë të suksesshme dhe bisedë produktive.
“Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i uroj një ditë të suksesshme dhe biseda produktive dhe të suksesshme dhe në të njëjtën kohë e përgëzoj për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, shkroi Kovaçevski.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të kenë marrëdhënie fqinjësore dhe të rrugëtojnë së bashku drejt të ardhmes evropiane.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëveshja në vend të konfliktit dhe zhvillimi në vend të regresionit janë postulate që duhet të na çojnë ne, politikanëve të shekullit të 21-të, të cilët duam t'i udhëheqim vendet tona, dhe rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje më të mirë evropiane”, përfundoi Kovaçevski.
Borell: Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell i cili do të ndërmjetësojë takimin e nivelit të lartë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq ka shkruar para pak minutash duke thënë se sytë e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot.
Borell ka thënë se pas punës së bërë përmes “diplomacisë fluturuese”, sot në Ohër do të diskutohet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq për Aneksin e Implementimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes që hap rrugën për normalizimin e raporteve.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur te vila shtetërore “Bilana” në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku sot do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
The eyes of the EU & the Western Balkans are on Ohrid today.
After intense shuttle diplomacy between Belgrade and Pristina, we will discuss with @predsednikrs and @albinkurti the implementation annex - an integral part of the Agreement on the path to normalisation of relations. pic.twitter.com/Z8xJB7I75j
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) March 18, 2023
Ai është pyetur nga gazetarët nëse pritet ndonjë zhvillim pozitiv nga ky takim dhe shkurtimisht është përgjigjur “gjithqysh”.
Kurti: Jam optimist dhe i vëmendshëm, do ta bëjmë më të mirën për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media, para takimit të sotëm në Ohër.
Kurti, para takimit u shpreh se është optimist se do të arrihet një marrëveshje dhe se do ta bëjnë më të mirën për Kosovën.
‘’Jam optimist dhe i vëmendshëm.
Do të bëjmë më të mirën për Kosovën, interesin publik të popullit për të gjithë qytetarët’’, ka thënë ai.