“Ka qenë i mbuluar me gjak!”/ Familjarët flasin për vrasjen e rëndë në Pejë - deklarohen edhe fqinjtë

Aktuale

“Ka qenë i mbuluar me gjak!”/ Familjarët flasin për vrasjen e rëndë në Pejë - deklarohen edhe fqinjtë

Më: 14 prill 2023 Në ora: 23:16
Pamje nga vendi i ngjarjes në Pejë, ku dyshohet se djali mbyti nënën e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Pejës ku një grua ka mbetur e vdekur. Sipas të gjitha informacioneve deri më tani, viktima u vra nga i biri i saj. Çka dihet deri më tani?

Familjarët kanë kërkuar që mos të shqetësohen, ka bërë të ditur gazetarja Anita Nikaj, e cila po qëndron në vendin e ngjarjes.

Madje, nga ajo që është mësuar, as ata nuk e dijnë se si ka ndodhur rasti. 

Çka thanë fqinjtë e familjes? 

Sipas një fqinji të familjes, i cili foli në kushte anonimiteti për Nacionalen, rasti ka ndodhur pasdite dhe në oborr kanë dalë babai dhe halla e dorasit, të cilët u kërkuan që të thërrasin policinë. 

"Rasti ka ndodhë pasdite, në rrugë kanë dalë babai dhe halla e dorasit, kanë kërkuar nga fqinjtë që të thërrasin policinë. Ai ka dalë jashtë, ka qenë i mbuluar me gjak. Policia e kanë vendosur në veturë dhe kanë ecur.” – ka bërë të ditur ai.

I njëjti, ka thënë se dorasi nuk ka qenë person problematik dhe se ka jetuar për disa vite jashtë vendit.

“Sipas fqinjëve, nuk dihet nëse kanë pasë ndonjë problem, nuk është vërejtë që ka qenë person problematik. Ky ka jetuar jashtë që disa vite, ka ardhë në Kosovë, nuk ka pasë probleme, nuk dihet çfarë ka ndodhur.” – tha ai.

Në fund, fqinji i familjes të së ndjeres ka thënë si vijon: “Kur e ka vra nënën, në shtëpi ka pasë edhe familjarë të tjerë, baba i tij, halla e tij. Nëna ka punu, babai ka punu, dhe një moter punon në spital”. 

Flasin prokuroria dhe policia 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova ka konfirmuar se i dyshuari është arrestuar. 

“Po, është arrestuar i dyshuari”. – ka bërë të ditur ai.

Rugova ka treguar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

“Sot rreth orës 16:00 Policia është informuar në lidhje me këtë rast. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, saktësisht në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Aty ka dalur edhe mjeku kujdestar i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti po hetohet për “vrasje të rëndë”.” - ka thënë Rugova.

Ndërkaq, prokurorja e rastit ka konfirmuar se gruaja që është vrarë sot në Pejë, është privuar nga jeta nga i biri i saj.

Para mediave, ajo ka thënë se i njëjti është arrestuar tashmë.

“Sot me datë 14 prill 2023 rreth orës 16:00 nga sektori i hetimeve, jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës, konkretisht dyshohet se i biri ka privuar nga jeta nënën. I njëjti është arrestuar, në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm apo ta lëndojë vetën.” – ka thënë ajo.

Po ashtu, prokurorja ka bërë të ditur se janë marrë gjurmët dhe provat, po ashtu, janë sigurur edhe dëshmitarë okularë rreth ngjarjes.

“Kemi dalë së bashku në vendin e ngjarjes me njësitin e forenzikës, janë marrë të gjitha gjurmët, provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, kemi siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes.” – tha ajo.

Tutje, e njëjta ka deklaruar se kanë provuar që ta marrin në pyetje të dyshuarin, por nuk ka qenë në gjendje që të flasë, kështu që do të intervistohet sërish nesër në prani të psikologut.

“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, por nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit. Kështu që kemi provuar që nesër në prani të psikologut dhe avokatit, ta marrim në pyetje.” – tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat