Latifi: Dalja publike e UÇK-së në Pashtrik ndryshoi ndryshoi historinë

Aktuale

Latifi: Dalja publike e UÇK-së në Pashtrik ndryshoi ndryshoi historinë

Më: 26 prill 2023 Në ora: 14:55
Smajl Latifi

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të daljes publike të UÇK-së në zonën Operative të Pashtrikut, Komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim në fshatin Drenoc, me ç’rast u tha se ngjarje si kjo ndryshuan historinë dhe hartën e botës.

I pari i kësaj komune, Smajl Latifi, derisa foli për luftën çlirimtare të UÇK-së, tha se nga gjaku i të rënëve për liri është fituar liria që e gëzon vendi sot.

"Lufta jonë çlirimtare mori përmasa kombëtare dhe s'kishte si të ishte ndryshe, sepse shqiptarët ndjejnë të njëjtën dashuri për atdheun, pavarësisht se ku jetojnë. Bijat dhe bijtë e këtij vendi u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe në forma të ndryshme kontribuuan për të mirën e përgjithshme. Dhe natyrisht, lufta ka edhe pasojat që lënë gjurmë në jetët e njerëzve, por edhe gjurmë në histori. Dalja e UÇK-së me 26 prill e më pas beteja parë dhe ajo me 14 maj, si dhe ato të tjerat, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension. Toka u stolis me varre, por nga ai gjak është liria që po shijojmë sot. Ngjarjet si kjo na bëjnë te ndjehemi krenar që i takuam asaj epoke të lavdishme, epokës që ndryshoi historinë dhe jo vetëm atë shqiptare, por edhe hartën e botës", tha Latifi.

Latifi mes tjerash përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, për çka tha se akuzat ndja tyre janë të pa baza e vijnë nga Beogradi.

“Ne sot po e festojmë 25-vjetorin pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin, Pjetër Shalën, Salih Mustafën, pa shokë të cilët po përballen padrejtësisht në akuza të shpifura nga ata që kanë rënë me ose pa vetëdije në kurthin e armiqve tanë e në ato dosje që janë gatuar diku, janë pjekur diku në kuzhinat e Beogradit zyrtar. Pra, ndërtimi i vendit dhe përmirësimi i kushteve të punës e jetës është pjesë e detyrimeve tona ndaj dëshmoreve. Na mbetet që të punojmë me përkushtimin më të madh për rregullimin e kushteve të punës e jetës për njerëzit tanë. Duke punuar ndershëm, ne nderojmë të kaluarën, gjakun e derdhur për liri, nderojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë, vetëm në këtë mënyrë, familjarët e dëshmorëve, martirëve mund të ndjehen të nderuar e të respektuar, ndërsa ne shpirtërisht me të qetë”, tha mes tjerash Latifi.

Publicisti dhe mbledhësi i fakteve të dëshmive historike, Qemajl Krasniqi derisa kujtoi gjithë të rënët për liri tha se falë tyre Drenoci nuk ra por u bë çerdhe prej nga hynin e dilnin luftëtarët e lirisë nga të gjitha trojet shqiptare.

"Pikërisht këtu zuri fill Zona Operative e Pashtrikut, zonë që u mbijetoi sfidave dhe ballafaqimeve te mëdha e të rrezikshme me forcat armike deri në çlirimin e vendit në qershor te vitit 1999. Aty u organizuan bujq e blegtorë, mjeshtër e profesionistë të ndryshëm, studentë, mësues e intelektualë me grada të larta shkencore... Por, Drenoci nuk ra por u bë çerdhe prej nga hynin e dilnin luftëtarët e lirisë nga të gjitha trojet shqiptare. Mblodhi ata njerëz që në zemër e në mendje e kishin dashurinë dhe respektin për luftën dhe dëshmorë dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kazerma e Drenocit kishte një udhëheqje operative dhe kooperative ushtarake që drejtonte operacionet anembanë Anadrinit dhe sot me shumë merita i takon epiteti ‘Fshati-kazermë’, fshat ku zuri fill Brigada 124 ‘Gani Paçarizi’ e fshat ku zuri fill Zona Operative e Pashtrikut", tha Krasniqi.

E përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, duke folur për luftën e UÇK-së, apeloi krerët shtetërorë që për ta të kërkojnë drejtësi nga instancat ndërkombëtare të drejtësisë.

"Duke e kujtuar e shkruar historinë, qëndrojmë mirë sot dhe ecim bindshëm në realizimin e amanetit të dëshmorëve, pra amanet i cili duhet të jetë jetik për çdo shqiptar përveç lirisë, së kësaj pjese të atdheut, pra të realizojmë rrugën e madhe që ma hapur rruga e lavdishme e UÇK-së... Lirinë nuk na ka falë askush, se për të ardhur deri te liria është dashur si domosdoshmëri lufta e lavdishme dhe e pastër e UÇK-së. Duhet të themi me shumë zë, të gjithë atyre qe i bënë këto padrejtësi qofshin vendorë dhe ndërkombëtarë, se nuk ka forcë që mund ta barazojë luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së. Duhet të besojmë se pafajësia do të vërtetohet dhe do të dështojnë të gjithë ata. Institucionet tona, sidomos kryeministri dhe kryetarja e shtetit duhet të deklarohen rreth kësaj dhe të kërkojnë nga instancat ndërkombëtare të drejtësisë se ku mbeten këto shpifje dhe si sillen ata që e sajojnë atë", tha Jashari.

Ai tha se dëshmorët e lirisë janë figura të ndritshme të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat