Shefja e USAID-it në Kosovë, ekspertët: Nxitje për investime të reja

Aktuale

Shefja e USAID-it në Kosovë, ekspertët: Nxitje për investime të reja

Më: 11 maj 2023 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar - USAID, Samantha Power, sot do të qëndrojë në Kosovë, një ditë pas vizitës në Beograd. Njohës të rrethanave politike dhe ekonomike thonë se vizita e saj ndërlidhet edhe me dialogun Kosovë-Serbi si dhe koordinimin për të ndihmuar dy shtetet në fund të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

Një ditë pas vizitës në Serbi, administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, do të vizitojë Kosovën. Duke e komentuar vizitën e shefes së USAID-it, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se zonja Power është person me ndikim të madh politik dhe vizita e saj ka qëllim koordinimin e proceseve për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në fund të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

 “Për mendimin tim kjo vizitë është për të parë potencialet e mundshme për ndihmë të re ekonomike pasi  të zbatohet plani i Brukselit dhe aneksi i Ohrit dhe natyrisht këtu do të ketë një bashkërendim më të madh në mes të USAID-it dhe agjencive të Bashkimit Evropian që bëjnë investime dhe japin ndihma financiare konkrete”, tha Raci për Radio Kosovën.

Edhe njohësi i rrethanave ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, e ndërlidhë vizitën në Kosovë dhe Serbi, të shefes së USAID-it, me dialogun ndërmjet dy vendeve dhe investimeve eventuale.

“Mesazhi kryesor do të jetë përkushtimi që përmes dialogut të arrihet një stabilitet politik, i cili do të nxiste investimet e huaja në Kosovë, qoftë në aspektin direkt apo indirekt. E them këtë bazuar në faktin që më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë kohë në qoftë se nuk do të ketë normalizim të raporteve me Serbinë do te jetë të mbetet në këtë stad ky është tani”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat