Musa: Është tepruar me seanca të mbyllura në Hagë

Aktuale

Musa: Është tepruar me seanca të mbyllura në Hagë

Më: 24 maj 2023 Në ora: 18:50
Krerët e UÇK-së në Hagë

Avokati, Skender Musa ka konsideruar se është tepruar me seanca të mbyllura nga Gjykata Speciale në gjykimin që është duke iu bërë Thaçit dhe të tjerëve.

Ai tha se qytetarët janë të interesuar që të dëgjojnë se çfarë po ndodh në ato seanca.

“Ne qytetarët e Republikës së Kosovës kemi interes që t’i përcjellin seancat e Gjykatës Speciale. Konsiderojë se të gjithë këta dëshmitare me seanca të mbyllura është tepruar, për shkak se nuk konsideroj që ka ndonjë rrezikshmëri për dëshmitarët që janë dëgjuar deri më tani dhe të jenë seancat e hapura. Konsideroj që është e mjaftueshme vetëm folja e tyre me videolink, duke ia mbuluar fytyrën, ndryshuar zërin, duke mos ju dukur fytyra dhe pjesët e trupit. Duhet të dëgjohen nga publiku, pasi duhet të dimë se çfarë po ndodhë në ato seanca”, ka thënë ai.

Ai tha se përgjigjja për  kërkesa e bërë që seancat të jenë të hapura për publikun mund të vonojë deri në seancën e radhës, por edhe mund të shtyhet.

“Vendimi për kërkesën e bërë mund të marrë kohë deri në seancën e radhës, por mund të shtyhet afati. Është çështje procedurale, mirëpo kryetari i trupit gjykues mund ta shtyjë edhe për më vonë.  Në sy të publikut mbyllja e këtyre seancave krijon mosbesim dhe duket diçka negative, ndërsa në aspektin juridik nuk paraqet shkelje”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat