Paçarizi: Situata në veri, për keqardhje

Aktuale

Paçarizi: Situata në veri, për keqardhje

Më: 30 maj 2023 Në ora: 14:48
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, e ka cilësuar për “keqardhje” situatën në veri të Kosovës.

Duke i komentuar përleshjet e 29 majit në Zveçan, mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë, KFOR, Paçarizi ka thënë se zyrtarët e Kosovës kanë qenë të përmbajtur në reagime, në krahasim me zyrtarët serbë, që sipas tij, “në vazhdimësi kanë hedhur benzinë në zjarr, dhe mezi kanë pritur që situata të përshkallëzonte tutje”.

“Do me thënë, sjellja e djeshme e Qeverisë së Kosovës ishte e përgjegjshme, mirëpo veprimet paraprake, sidomos moskoordinimi i duhur me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e QUINT-it, mendoj që janë për keqardhje,” ka thënë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, refuzimi i kryetarëve të komunave veriore nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të hënën, ka qenë vendim i papjekur, duke shtuar se Qeveria e Kosovës, por edhe aktorë të tjerë të ngjarjeve në veri, duhet të jenë në sinkron me aleatët ndërkombëtarë.

“…apo së paku mes vete, në mënyrë që të mos kemi situata të tilla kur kryetarët nga një partie shkojnë në vendet e tyre të punës në ndërtesat e komunës, ndërkaq ata nga një parti tjetër eventuale nuk shkojnë”, ka deklaruar Paçarizi.

“Duhet bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje, e cila është më pak e keqe. Nuk flitet më për zgjidhje më të mira, por për zgjidhje më pak të këqija”, ka shtuar mes tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat