​Veriu “zhvendoset” në Londër, deputetët britanikë: Beogradi përgjegjës për dhunën

Aktuale

​Veriu “zhvendoset” në Londër, deputetët britanikë: Beogradi përgjegjës për dhunën

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Deputetët britanikë kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Sekretari i shtetit, Michael Gove iu përgjigj interesimeve të deputetëve në lidhje me angazhimet e Mbretërisë së Bashkuar për uljen e tensioneve. Gove tha se në veri nuk kishte protestues paqësorë dhe kishin shkuar për të bërë dhunë. Deputetët britanikë kanë kërkuar që shteti i tyre të dënojë edhe Beogradin që, sipas tyre, kërkon destabilizimin e Kosovës.

Mitchell në fjalën e tyre hyrëse deklaroi se situata është qetësuar ditëve të fundit por tensionet mbeten të larta në komunat veriore të Kosovës.

“Rritja e fundit e tensioneve në veri të Kosovës është thellësisht shqetësuese. Protestat e dhunshme në veri të Kosovës më 29 maj rezultuan me lëndime të së paku 30 trupave të misionit të NATO-s, KFOR-it, së bashku me 50 civilë, përfshirë gazetarë. Që atëherë, gjendja është qetësuar pak, por tensionet mbeten të larta. Protestat e përditshme po vazhdojnë rreth zyrave komunale në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës, ku autoritetet e Kosovës po insistojnë që kryetarët e komunave të sapozgjedhur shqiptarë duhet të punojnë dhe të vendosen. Zoti Kryetar, ne po punojmë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për deeskalimin e situatës dhe inkurajojmë kthimin në dialog”, deklaroi Mitchell.

Mitchell paralajmëroi se Sekretari i Jashtëm britanik do të takohet me kryeministren serbe Ana Bernabiq në ditët në vijim në përpjekjet për të ecur përpara drejt deeskalimit dhe dialogut mes dy vendeve.

Deputetja Alicia Kearns, njëherit kryetare e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik, u shpreh se zgjedhjet e 23 prillit janë njohur nga faktori ndërkombëtar ndërsa tha se shkalal e ulët e pjesëmarrjes ishte për shkak të ndikimit të Beogradit.

Sipas saj, kërkesa që kryetarët e zgjedhur të komunave të hyjnë në objekte komunale është e drejtë.

Kearns akuzoi Beogradin zyrtar se është mbrapa dhunës së shfaqur ndaj trupave të KFOR-it ndërsa kërkoi llogari pse ndërkombëtarët e ashpërsuan gjuhën vetëm ndaj Kosovës.

“Pamë dhunë të orkestruar në rrugë nga milicitë e financuara dhe të armatosura nga Beogradi kundër KFOR-it dhe policisë. Kishte kokteje molotovi, kundër tyre kishte të shtëna me armë, u vunë zjarrin makinave të policisë. Pra, a mund të pyes, të lutem, mikun tim të nderuar, pse pati një përgjigje kaq joproporcionale dhe të pabalancuar nga aleatët tanë? Është e gabuar që SHBA-ja dhe BE-ja zgjodhën të sulmojnë Kosovën, mirëpo ishin pa kritika ndaj milicive të armatosura që krijuan situatën. Një aleat demokratik (Kosova) vuajti barrën e kësaj situate”, vijoi Kearns.

Kearns tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të dënojë njerëzit, që ajo i quajti “milicë të financuar nga Beogradi” që shkaktuan dhunë në veri ndërsa po kërcënojnë edhe serbët lokalë.

“Çfarë kundërmasash po vendosim në vend të Beogradit, sepse në momentin që shfaqet si dështim i diplomacisë parandaluese, si ndryshon politika jonë nga SHBA-ja dhe BE-ja? Sepse ne jemi shumë të heshtur për atë që po ndodh tani, dhe a mund të kritikojmë më në fund këta milici të armatosur dhe të financuar nga Beogradi, të cilët, kur një individ thotë ‘jo, nuk dua të mbështes milicinë tuaj’ gjen një granatë jashtë pragut të derës së fëmijës së tyre ditën tjetër. Ky është kërcenim në kuptimin më të keq. Dhe së fundi, si po i mbështesim ne komunitetet serbe të Kosovës në veri për t'u siguruar që ata të mund të jetojnë jetën që dëshirojnë dhe të marrin pjesë në demokraci pa ndërhyrjet e huaja që kanë një efekt ftohës në demokracinë në Kosovë?”, vijoi Kearns.

Mitchell iu përgjigj deputetes Kearns se qeveria britanike është duke ushtruar një rol të përgjegjshëm në këtë situatë.

“Qeveria po ushtron një rol shumë të përgjegjshëm në këtë çështje, është pjesë e botës, siç e di ajo, të cilën ne e njohim jashtëzakonisht mirë. Ne theksojmë rëndësinë e dialogut. E theksojmë rëndësinë e deeskalimit, mikja ime e nderuar, kryeministri pati rastin t'i përmend këto çështje kur takoi presidenten e Kosovës më 1 qershor”, vijoi Mitchell.

Deputeti laburist David Lammy, pasi tha se situata në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e pasigurt dhe kërkon vëmendjen urgjente të autoriteteve britanike, u shpreh se duhet mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe të sigurohet që respektohen të drejtat e pakicave në të dy vendet.

“Në janar vizitova Kosovën. Populli i saj mbetet jashtëzakonisht mirënjohës për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Tony Blair dhe presidenti Klinton, e cila solli një dhunë të përgjakshme që nuk u pa në tokën evropiane për dekada të tëra. Ne jemi krenarë për veprimet tona historike, por është thelbësore që Britania të luajë rolin e saj tani. Ne duhet të mbetemi të përqendruar në deskalimin dhe rivendosjen e dialogut konstruktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe Serbisë, për të garantuar të drejtat e pakicave në të dy anët e kufirit dhe për të mbrojtur demokracinë”, deklaroi Lammy.

Sekretari Mitchell pranoi se zgjedhjet e 23 prillit kanë qenë të ligjshme por kryetarëve të zgjedhur iu mungon legjitimiteti për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

“Mbretëria e Bashkuar i qëndroi Kosovës në krah në kohët më të mira dhe më të këqija dhe do të vazhdojë të bëjmë këtë dhe për sa i përket zgjedhjeve që u zhvilluan, ne e kemi të qartë se ato janë të ligjshme, por duket sikur u mungon legjitimiteti”, tha Mitchell.

Deputeti konservator Mattv Vickers deklaroi se pa uljen e tensioneve në veri nuk mund t’i kërkojnë bizneseve britanike që të investojnë në këto vende.

“Si i dërguari tregtar i Kryeministrit në Ballkanin Perëndimor, si Serbia ashtu edhe Kosova bien në përmbledhjen time dhe e njoh rëndësinë e stabilitetit në zonë nëse duam të inkurajojmë bizneset e Mbretërisë së Bashkuar të përfitojnë nga mundësitë e mëdha që ekzistojnë atje, dhe unë i mbështes plotësisht komentet e drejta të mikut tim të nderuar për uljen e tensionit, vetëm nëse e zvogëlojmë tensionin, bizneset britanike mund të shikojnë në atë zonë për të përfituar ekonomitë e Serbisë, Kosovës dhe më gjerë të rajonit”, tha ai.

Sekretari Mitchell i kujtoi Kosovës dhe Serbisë cilat janë obligimet e tyre në mënyrë që të ulen tensionet menjëherë.

“Kosova tani duhet t'u mundësojë kryetarëve të komunave të punojnë nga lokacione jashtë zyrave komunale dhe të tërheqë njësitë speciale të policisë që janë afër. Serbia duhet të ndryshojë vendimin e saj për të ngritur nivelin e gatishmërisë së forcave të saj të armatosura në kufirin me Kosovën dhe të përdorë ndikimin e saj për të inkurajuar përfundimin e protestave të dhunshme dhe të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën dhe veprimet nxitëse”, tha ai.

Deputetja nga Partia Nacionale Skoceze, Philippa Whitford kërkoi hetime për të kuptuar përfshirjen e Beogradit dhe Kremlinit në pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve në veri më 23 prill.

“Çfarë hetimi po ndërmerr Ministria e Jashtme për përfshirjen e Beogradit dhe ndoshta edhe të Kremlinit, në manipulime dhe keqinformim rreth zgjedhjeve që çuan në një shkallë të pjesëmarrjes kaq të dobët? Kryeministri Kurti ka thënë se është i hapur për rimbajtjen e zgjedhjeve në përpjekje për të krijuar mbështetje dhe legjitimitet. Por nëse kjo ndodh, çfarë veprimesh do të ndërmerrnin Zyra e Jashtme dhe zyrtarët e ambasadës për të siguruar që këto zgjedhje të ecin në mënyrë të sigurt dhe që të dy komunitetet të marrin pjesë?”, deklaroi ajo.

Sekretari Mitchell u shpreh se Britania nuk është duke e barazuar Kosovën dhe Serbinë në këtë rast, duke shtuar se protestuesit që sulmuan KFOR-in nuk ishin paqësorë, por kishin qëllim që të shkaktonin dhunë.

“Ne në asnjë mënyrë nuk po i barazojmë të dy palët. Ajo pyeti në fillim të pyetjes së saj për veprimet që po ndërmerrnim për të penguar dhunën dhe ne i konsiderojmë sulmet ndaj personelit të KFOR-it si krejtësisht të papranueshme. Ne kemi qenë të qartë në Beograd se sulmet ndaj personelit të NATO-s janë të papranueshme, çdo pretendim se KFOR-i sulmoi protestuesit paqësorë është plotësisht i pabazuar dhe shumë nga ata që janë përgjegjës për sulmin e trupave të KFOR-it nuk ishin protestues paqësorë, ata erdhën me mjetet dhe qëllimin për të shkaktuar dhunë dhe për sa i përket komenteve të saj për aktivitetet e rusëve, qeveria britanike, së bashku me aleatët e saj, veçanërisht ata në QUINT, është shumë e vetëdijshme për çështjet të cilave ajo i referohet”, tha Mitchell.

Situata në Zevçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar dhe gazetarët./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat