Ish-krye negociatori Arifi: Nuk ka diplomatë në SHBA e BE që i beson Kurtit

Aktuale

Ish-krye negociatori Arifi: Nuk ka diplomatë në SHBA e BE që i beson Kurtit

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 17:42
Avni Arifi

Protestat në veri të Kosovën ende nuk kanë marr fund.

Kriza atje, që u përshkallëzua në dhunë nisi qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën.

Pas tensioneve atje, Kosova gjatë këtyre ditëve ka marr kritika të ashpra nga SHBA.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me Kurtin e fajësoi kryeministrin për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri.

Shtensionimi i situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, këto ishin tri kërkesat kyçe që emisarët i bënë kryeministrit dje në takim, Albin Kurtit.

Por sot, Kurti deklaroi se në takimin me emisarët ka ofruar një dalje të qëndrueshme dhe të sigurt nga kriza në veri, e cila sipas tij është shkaktuar nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë atje.

Për krejt këtë situatë të krijuar në vend, ish- ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, po e fajëson kryeministrin Kurti.

Ish-kryenegociatori në dialogun Kosovë – Serbi, Avni Arifi tha se nuk ka vetëm krisje në raportet me SHBA, por edhe dëmtime serioze.

Ai tha se Kurti e ka futur vetën në një rrugë e cila pa aleatët nuk e din as ai se si do të duket.

“Kryeministri e ka fut veten në një rrugë e cila nëse nuk e ka përkrahjen e SHBA-së, askush nuk e din si do të duket e kam përshtypjen as vet kryeministri. Jo që ka krisje në raportet me SHBA dhe BE por ka dëmtime serioze”, u shpreh Arifi.

Arifi thotë se falë ndihmës së SHBA-ve, Kosova është ndërtuar si shtet.

Sipas tij, të arriturat e vendit pa Amerikën do të ishin vetëm dëshira.

“Që 2000 vite i vetmi shtet që ja ka ngjitë dorën shqiptarëve janë SHBA-të. Jemi ndërtuar si shtet duke pas në krah SHBA-në dhe kemi arrit suksese të mëdha për 25 vite. Të arriturat e Kosovës do të kishin qenë vetëm dëshira ideale pa SHBA dhe përkrahjen e tyre”, theksoi Arifi.

Me krisjen e marrëdhënieve me SHBA-të, Arifi thotë se është cenuar besimi mbi institucione.

Pas situatës në veri, Arifi thotë se asnjë diplomat nuk i beson më kryeministrit Kurti.

 “Mbi të gjitha është cenuar besimi mbi institucionet e Kosovës. Pavarësisht çfarë do të bëjë Albin Kurti këto ditë besimi i humbur kohë të gjata nuk do të kthehet. Sot nuk ka diplomat as në SHBA dhe as në BE që i besojnë për çfarëdo kryeministrit të Kosovës”, përfundoi Arifi.

Sot nga Beogradi, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë.

Tutje, Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhje.

E, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit të djeshëm me Escobar dhe Lajcak tha se ka shprehur përkushtimin për të vazhduar punën me aleatët – që të mundësohet sundimi i ligjit në Veri.

Osmani ka folur edhe për grupet kriminale në Veri, duke dënuar sërish dhunën që kanë ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR’it, policisë e gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat