Profesori në Washington tregon se cilat mund të jenë sanksionet që mund t’i vendosen Kosovës

Aktuale

Profesori në Washington tregon se cilat mund të jenë sanksionet që mund t’i vendosen Kosovës

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 18:44
Drilon Gashi

Drilon Gashi, profesor në Washington, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të arritur një rrugëdalje nga tensionimi i situatës në veri të vendit, pasi sipas tij, kur ShBA-ja paralajmëron sanksione i zbaton ato.

Ai ka theksuar se ShBA-ja ka tendencën të zbatojë masat e paralajmëruara, prandaj është e rëndësishme që Kosova të evitojë një situatë në të cilën do të përballet me sanksione.

“Mundet kur SHBA paralajmërojnë një gjë ata më pas vijnë në zbatimin e atyre masave, atyre deklaratave kështu që është shumë me rëndësi që të vazhdohet ajo përpjekja që veçse po vërehet, që të ketë një rrugëdalje nga kjo situatë”, është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka shprehur keqardhje për nxitimin, gjuhën dhe qasjen e ShBA-së ndaj Kosovës, duke theksuar se kjo reflekton nevojën për të forcuar diplomacinë e Kosovës në ShBA dhe për të përfshirë më shumë komunitetin shqiptaro-amerikan në përpjekjet e saj.

“Është për keqardhje ky nxitim, kjo gjuhë, kjo qasje, ndaj Kosovës, pavarësisht  se kush është në pushtet në vend, ne nuk do të duhej të shihnim qasje të tilla nga SHBA-ja në Kosovë. Në përgjithësi kjo reflekton që të ketë një riinvestim në diplomacinë e Kosovës në SHBA, dhe një staf më të madh, në evokimin nga komuniteti shqiptaro-amerikan, edhe në lobim profesional”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka vlerësuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të organizuar zgjedhjet në veri si një hap pozitiv drejt demokracisë. Ai beson se kjo tregon se demokracia është një shtytje për të arritur progres në të gjitha aspektet e jetës së Kosovës.

Cilat mund të jenë sanksionet amerikane?

Ai ka treguar se ShBA-ja ka mundësinë për të zbatuar sanksione kundër Kosovës në rastin e situatave të caktuara, duke përmendur disa forma të mundshme të këtyre sanksioneve.

Sipas profesorit Gashi, një formë e sanksioneve mund të jetë reduktimi i mbështetjes amerikane nëpërmjet programeve të ndryshme, siç është programi i OSBE-së dhe investime të tjera.

Kjo sipas tij, do të rezultonte në uljen e buxhetit të disponueshëm për Kosovën nëpërmjet këtyre programeve, duke u ndikuar negativisht në nivelin e ndihmës dhe investimeve amerikane në vend.

Një tjetër formë e sanksioneve, sipas profesorit, mund të përfshijë masat që janë zbatuar ndaj udhëheqësve të tjerë të rajonit, si në rastin e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Këto masa sipas tij, përfshijnë ndalimin e udhëtimit në ShBA, bllokimin e llogarive bankare dhe masa të tjera që u pengojnë udhëheqësit të lirshëm të Kosovës nga hyrja në SHBA dhe nga aksesimi në disa shërbime financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat