​QKRMT: Ndërkombëtarët të interesohen për vendndodhjen e policëve të rrëmbyer

Aktuale

​QKRMT: Ndërkombëtarët të interesohen për vendndodhjen e policëve të rrëmbyer

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtar që të vizitohen policët të cilat janë rrëmbyer nga forcat serbe si dhe të tregohet se ku po mbahen ata.

Kjo organizatë ka shprehur shqetësim për mungesën e informacionit rreth vendndodhjes dhe gjendjes së zyrtarëve policor.

“Duke pasur parasysh raportet me Serbinë si dhe kontekstin politik, QKRMT mbetet e shqetësuar për mungesën e informacionit rreth vendndodhjes dhe statusit të tre zyrtarëve policor, andaj me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tyre, QKRMT u është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave ndërkombëtare që të interesohen për vendndodhjen e tre zyrtarëve policor, dhe të njëjtin të vizitohen nga mekanizmat ndërkombëtar”, është bërë e ditur në komunikatën e QKRMT-së.

QKRMT i ka shkruar edhe Komitetit të Helsinkit në Serbi që të vizitohen tre policët e rrëmbyer.

“Kërkesat për vizitë të zyrtarëve policor, QKRMT i ka drejtuar tek: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) si dhe Nënkomiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese (SPT), - mekanizma ndërkombëtar që kanë për mision vizitat në çdo vend ku mbahen personat e privuar nga liria”, është theksuar në komunikatë.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat