​Kurti: Serbia nuk ka kthyer përgjigje për hapjen e arkivave për të pagjeturit

Aktuale

​Kurti: Serbia nuk ka kthyer përgjigje për hapjen e arkivave për të pagjeturit

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 15:59
Kryeministri i Kosovës Albin Kurt

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë nderim te pllaka në parkun e të pagjeturve në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Nga aty tha se Kosova i ka shkruar Serbisë për hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash, por deri tash nuk kanë kthyer përgjigje.

Kurti u shpreh se institucionet do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi për personat e pagjetur.

Kurti: Kërkojmë të vërtetën dhe drejtësi për të pagjeturit

"Vendosa lule te freskëta sot më 17 qershor kur kremtojmë 80 vjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hoti i cili ka datë të lindjes por jo të vdekjes sepse edhe vet është i rrëmbyer me dhunë nga forcat e Serbisë dhe për fatin e të cilit ende nuk dimë asgjë sot e kësaj dite . 1617 qytetarë te cilët na mungojnë dhe për fatin e të gjithëve kërkojmë të vërteten dhe përgjegjësinë dhe drejtësinë. Përkitazi me këtë dhe duke u bazuar në marrëveshjen që kemi edhe kryetari i komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash, sidomos në rajonin e Drenicës. Pra ne angazhohemi si institucione dhe kërkojmë përgjegjësi për të pagjeturit tanë të cilët i mungojnë jo vetëm familjeve por të gjithë popullit e shoqërisë tonë", u shpreh Kurti.

Ai shtoi se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për hapjen e arkivave nga Serbia.

Kurti: Serbia nuk ka kthyer përgjigje për hapjen e arkivave

“Nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën, të cilën e ka dërguar Andin Hoti për hapjen e arkivave atje, në mënyrë që të merret vesh e vërteta dhe të mundësohet drejtësia.”, tha Kurti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar edhe shtëpinë Muze të Prof. Ukshin Hotit, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes së tij, si dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në Prizren, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat