BE-ja pret bashkëpunim pa kushte, por Vuçiq do t’i mbajë terroristët në Serbi

Aktuale

BE-ja pret bashkëpunim pa kushte, por Vuçiq do t’i mbajë terroristët në Serbi

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 16:15
Aleksandar Vuçiq

“Ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës”, tha Bashkimi Europian për sulmin e 24 shtatorit në veri, duke i kërkuar Serbisë “bashkëpunim të plotë”. Por Aleksandar Vuçiq duket se s’do të dëgjojë, aq më pak për t’i dorëzuar terroristët që ikën dhe u strehuan në vendin e tij, duke lënë pas tre të tjerë të vrarë, për të cilët presidenti serb shpalli ditë zie kombëtare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, Milan Radoiçiq, i cili aktualisht po strehohet në Serbi.

Vuçiq në një intervistë për CNN të hënën tha se autorët thjesht “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.

“Serbia, natyrisht, do t’i mbajë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai (Millan Radoiçiqi) është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj”, tha Vuçiq.

Por për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiq thotë se do të japin llogari, Serbia ofroi strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, shpalli ditë zie kombëtare.

Qëndrimi i Vuçiqit në televizionin më të madh në botë, mund të konsiderohet edhe si përgjigje ndaj Bashkimit Europian, që paraprakisht kërkoi që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e bëri të qartë dje se hetimet do t’i bëjë Policia e Kosovës. “Kjo ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të”, tha ai.

I pyetur për përgjegjësisë që e ka marrë tash ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq për sulmin, dhe nëse BE-ja do të ndihmojë që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano tha se blloku europian pret “bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre”.

Kosova, ndërkaq, pret që t’i dorëzohen të gjithë ata që ishin përgatitur dhe kishin marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit dhe kërkon që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë për këtë.

“Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë… Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për ta vuajtur dënimin pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha para dy ditësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për televizionin Hayat në Bosnjë e Hercegovinë.

Paraprakisht, të premtën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se do të kërkojnë “patjetër” ekstradimin e “Radoiçiqit dhe jo vetëm”.

Në Bruksel joformalisht po diskutohet vendosja e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. Kështu tha dje kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, pasi e priti në Zagreb kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Plenkoviq tha se po presin një propozim të kryediplomatit europian, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak për të parë më pas se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Kur të bëjnë propozimin do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës ka qenë diçka e papranueshme”, tha ai.

Ndërkaq Rama, tha se ka prova të mjaftueshme për të vepruar, duke shtuar se “nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për t’i hedhur këto hapa”.

Komisioni Europian mund të ndërmarrë masa të caktuara ndaj Serbisë, sikur ndaj Kosovës, të cilat vendosen në mënyrë autonome, pa pasur nevojë të merret miratimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat