Hoti: Samiti i Berlinit në Tiranë e tregoi se Shqipëria është faktori kryesor në Ballkan, jo Serbia siç ishte

Aktuale

Hoti: Samiti i Berlinit në Tiranë e tregoi se Shqipëria është faktori kryesor në Ballkan, jo Serbia siç ishte

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 18:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Profesori universitar, Agron Hoti, ka thënë se Serbia me anë të këtij sulmi ka ndryshuar rrjedhën në skenën politike.

Sipas Hotit, mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë dëshmon se Shqipëria është faktori kryesor tashmë karshi Perëndimit jo Serbia sikurse ishte më herët.

“Sa më shumë që integrohet Shqipëria në raportet trans-atlantike, është më mirë për vendet e rajonit. Faktori kryesor është tashmë Shqipëria që nuk ishte dje në Ballkanin Perëndimor karshi Perëndimit”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetojë me “frikën e një konflikti nesër”, duke thënë se Serbia “po vazhdon ta kërcënojë me pushtim” Kosovën.

“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Kurti duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe grumbullimit të trupave serbe në afërsi të kufirit kosovar më vonë.

Ai tha se në vend se të jetojnë me frikën e konfliktit, qytetarët në Ballkanin Perëndimor “sot duhet të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne, si udhëheqës të tyre, kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim.”

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha në takim me liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin e Shqipërisë se “ne e mbështesim ‘planin me katër hapa’ të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së.”

Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së.

Hapja zyrtare e samitit u bë me fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shefes së KE-së, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat