Të hënën rifillojnë seancat gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

Të hënën rifillojnë seancat gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 09:52
Angela Griep

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se më 30 tetor, do të rifillojnë seancat në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

Seanca e fundit ndaj Thaçit dhe të tjerëve është mbajtur në 17 tetor derisa një ditë më vonë seanca e paraparë ishte shtyrë 30 minuta pasi kishte filluar.

Griep, përmes informimit javor, ka njoftuar DhSK-ja kohën më të madhe ia ka kushtuar çështjes së Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas zëdhënëses Griep në çështjen gjyqësore, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, versioni i redaktuar publik i Vendimit Kornizë mbi Nxjerrjen e Provave dhe Çështje të Lidhura me To, u bë publik më 24 tetor.

”Korniza ligjore e DHSK-së përcakton hapat e ndryshëm proceduralë që duhet të ndërmarrin Gjykatësi i Procedurës Paraprake dhe palët gjatë fazës së procedurës paraprake për t’u siguruar që çështja të përgatitet për t’iu kaluar trupit gjykues. Një nga hapat kryesorë është krijimi i një sistemi për shkëmbimin e provave mes palëve. Miratimi i sistemit që garanton një proces efikas të nxjerrjes së provave është thelbësor për Gjykatësin e Procedurës Paraprake për të gjetur ekuilibrin mes detyrës për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të viktimave dhe detyrimit për të mbështetur të drejtat e të akuzuarve”, tha zëdhënësja Griep.

Me tej ajo shtoj se Vendimi përmban edhe kalendarin për nxjerrjen e kategorive të ndryshme të provave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat