Dëshmitari thotë se katër ushtarë të UÇK-së ia rrëmbyen djalin dhe më s’e ka parë

Aktuale

Dëshmitari thotë se katër ushtarë të UÇK-së ia rrëmbyen djalin dhe më s’e ka parë

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 06:46 Përditësuar në ora: 15:08 më 02.11.2023
Thaçi dhe të tjerët

Dëshmitari Dediq: Ndërtesa e zjarrfikësve në Rahovec ishte qendër ku mbaheshin serbët e rrëmbyer, pastaj i vrisnin

Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Predrag Dediq deklaroi se në kohën kur ai ishte larguar nga shtëpia, shqiptarët e kishin plaçkitur atë.

“Unë kam fjetur me shqiptarë dhe në mëngjes kur desha të kthehem në shtëpi, ajo (bashkëshortja) vuri re se kishin marrë perdet e shtëpisë, se gjatë natës kur kishin hyrë shqiptarët në shtëpinë tonë dhe kishin plaçkitur çka mundeshin dhe nga ai moment dhe më tej unë kur u largova nga shtëpia, ata kishin marrë gjithçka”, tha dëshmitari Dediq.

Ndvrsa, pohoi se paraushtarakët me uniformë kishin ardhur në Rahovec.

“Kishin paraushtarakë me uniformë, jo nga Rahoveci por që erdhën në Rahovec”, pyeti avokati Keohe, gjë të cilën e pohoi dëshmitari Dediq.

Dëshmitari u pyet lidhur me atë se çfarë i kishte thënë Ismet Tara lidhur me këta persona.

“Mendoj se gruaja juaj Bozhana, në fakt Bozhanës, Ismet Tara i tha se kishte shumë banda nga Shqipëria që kishin ardhur dhe se ai nuk mund t’i dinte të gjitha ato dhe të merret me të gjithë”, pyeti avokati Keohe.

Dediq tha se këtë gjë Ismet Tara e kishte thënë me sinqeritet.

“Po ashtu më tha, po. Ne e njohim Ismet Tarën dhe ai na e tha atë me sinqeritet”, tha Dediq.

Ai tha se kishte dëgjuar se persona paraushtarakë dhe banditë kishin ardhur nga Kaçaniku për të shkaktuar trazira në Rahovec.

“Ata që erdhën e që hynë në apartamentin tim, ishin nga zona përreth, por nuk ishin nga Rahoveci”, shtoi dëshmitari.

Mbrojtja e Thaçit i thotë dëshmitarit se ai e dinte që ushtria dhe policia serbe po i detyronte shqiptarët të largoheshin nga shtëpitë

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Pregrad Dediq, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Gregory Keohe, i tha dëshmitarit se ai e dinte se anë e mbanë Kosovës, policia dhe ushtria serbe po i detyronin shqiptarët që të largoheshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre.

“Ju e dini se anë e mbanë Kosovës, policia dhe ushtria serbe po i detyronte shqiptarët që të largoheshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre. Jo vetëm në Rahovec, a është kështu?”, pyeti Keohe.

Ndërsa, dëshmitari Dediq tha se e dinte vetëm për Rahovec dhe nuk i interesonte për vende të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E di. Unë di për Rahovecin, por jo për vendet e tjera. Unë isha pensionist dhe i moshuar dhe nuk më interesonin për vendet e tjera”, tha Dediq.

Ndërsa, për Rahovecin Dediq tha se është pjesërisht e saktë ajo së çfarë thoshte avokati Keohe.

“Është pjesërisht e saktë. Unë jetoja me një lagje me shqiptarët dhe shkonim shumë mirë. Përballë ishin shqiptarë dhe ata thanë se duhet të largohen nga Rahoveci dhe pastaj ushtria shkoi përpara autobusit dhe u tha se mund të ktheheni në shtëpi lirisht. Familja që jetonte pranë meje u kthye në shtëpi”, tha Dediq.

Dediq pohoi se në qershor të 1999-ës, ushtria serbe kishte shkuar në Rahovec dhe i kishte thënë popullsisë serbe që ata do të tërhiqeshin si rezultat i marrëveshjes së Kumanovës.

Pas kësaj, Dediq tha se kur u largua ushtria dhe policia serbe, shumë prej popullsisë civile u largua me ata.

“Po ashtu është, saktë. Gruaja ime nuk donte të largohej dhe unë nuk desha të largohem dhe kështu qëndruam aty, por një pjesë e popullsisë u largua bashkë me ushtrinë”, tha Dediq.

Dediq pohoi se popullsia serbe u largua për arsye se kishin frikë nga hakmarrja e shqiptarëve të Kosovës që do të ktheheshin në Rahovec.

“Po, kjo ka qenë arsyeja dhe ishte normale dhe sipas arsyetimit tim unë nuk i kisha bërë njeriu keq dhe vendosa të qëndroj”, tha Dediq.

Dëshmitari Dediq thotë se para betejës në Rahovec, autoritetet serbe shpërndanin armë për civilët

Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Predrag Dediq, teksa foli për betejën e 18 korrikut 1998 në Rahovc, tha se autoritetet serbe po shpërndanin armë dhe municion për civilë, sikurse ai.

Ai tha se kur filloi beteja, civilët e tjerë që jetonin në Rahovec, kishin pistoleta dhe municion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ju pritej që të bashkëpunoni me ushtrinë dhe policinë për t’i mbrojtur serbët nga ndonjë sulm?”, pyeti avokati i Thaçit, Gregoy Keohe, ndërsa dëshmitari e pohoi këtë gjë.

“Nuk mora një pushkë, por një revolver dhe kisha leje për të”, tha dëshmitari, duke shtuar se kanë marrë edhe municion.

Në kohën kur ndodhi sulmi i 17 korrikut 1998, dëshmitari tha se ka qenë në shtëpi me gruan dhe se aty afër nuk kishte serbë të tjerë.

“Po, isha në shtëpi vetëm. Vetëm me grua, aty afër nuk kishte serbë të tjerë për gjatë ditës së atij sulmi”, tha dëshmitari.

Sipas tij, gjatë kohës së betejës nuk ka parë ndonjë rrëmbim të civilëve serbë nga UÇK-ja.

“Jo, nuk kam parë diçka të tillë. Ashtu është”, tha Dediq.

Marrja në pyetje e këtij dëshmitari në DhSK, është përcjellë me probleme teknike në transmetim.

Dëshmitari pretendon se Peleviqi u rrah nga një grua e UÇK-së

Predrag Dediq, dëshmitar i ZPS-së në çështjen ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve, ka pretenduar se personi me emrin Petko Peleviq mbahej në burg në ndërtesën e zjarrfikësve, si dhe, sipas tij, është rrahur nga një grua të cilën e kishte punësuar.

“Patjetër që e njoh. Është mbajtur edhe ai në burg. E njoh Petko Peleviqin mirë, ka qenë drejtor i një kompanie, e njoh mirë. Atë e shoqëronte një femër nga UÇK-ja. Më duket se kam folur me të shoqen e tij. Ma merr mendja që kam folur me atë. Më tha se e kishin rrahur atje. E kishte rrahur një grua të cilës ai i kishte dhënë punë në kompaninë e vetë. I kishte dhënë punë në kompaninë e vet dhe e shoqja pyeste pse e kishte rrahur kjo gruaja kur ai i kishte bërë një nder”, tha Dediq gjatë dëshmisë së tij.

Dediq tha se ishte gruaja e Peleviqit i kishte thënë atij se bashkëshorti i saj mbahej në ndërtesën e zjarrfikësve në Rahovec.

Dediq gjatë dëshmisë së tij, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se ka supozuar se edhe djali i tij ishte i ndaluar në ndërtesën e zjarrfikësve në Rahovec.

Këtë supozim, dëshmitari tha se e mbështet në atë se dikush i kishte thënë se të gjithë personat që i dërgonin tek stacioni i policisë më pas i dërgonin tek ndërtesa e zjarrfikësve.

“Këtë thanë personat. Të gjithë personat që i çonin tek stacioni i policisë, më pas i çonin tek ndërtesa e zjarrfikëses dhe mbështetur në këtë, dola në përfundimin që thash”, tha dëshmitari Dediq, duke potencuar se nuk mund të tregojë saktë se për cilët persona bëhet fjalë që i kishin thënë pasi sipas tij do të ishte shpikje./Betimi për Drejtësi

Dëshmitari Dediq: Ndërtesa e zjarrfikësve në Rahovec ishte qendër ku mbaheshin serbët e rrëmbyer, pastaj i vrisnin

Dëshmitari Predrag Dediq gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se ndërtesa e zjarrfikësve në Rahovec ishte qendër për serbët e rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që pastaj sipas tij nga aty i merrnin dhe i vrisnin.

Prokurori Cezary Mihailzcuck kishte cituar edhe deklaratën që kishte dhënë dëshmitari para Task-Forcës Hetimore Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Citoj: ata më çuan në ndërtesën e zjarrfikëses, supozoj dhe e them me 1000 % se ajo ishte një qendër ku mbanin serbët e kidnapuar, mbyll citimin”. Ku e dini ju dëshmitar që në ndërtesën e zjarrfikëses ishte një qendër grumbullimi për serbët e rrëmbyer?”, pyeti prokurori.

Ndërsa, dëshmitari pohoi sërish atë që e kishte thënë më herët në deklaratën e tij.

“E di, e kam fakt. E di që ishte qendër grumbullimi. Pastaj, i merrnin personat nga kjo qendër dhe i vrisnin”, tha dëshmitari.

Këtë gjë, ai tha se e ka mësuar nga gruaja e Petko Peleviqit.

“E kam mësuar nga ajo. Personat flisnin dhe thonin që tek ky vendi, personat i mbanin shumë shkurt dhe pastaj që atje i çonin në një vend tjetër dhe nuk e di se ku”, tha dëshmitari Dediq.

Në deklaratat e mëhershme, dëshmitari kishte thënë se katër ushtarë të UÇK-së ia rrëmbyen djalin dhe më s’e ka parë

Në deklaratat që dëshmitari Predrag Dediq kishte dhënë për autoritete të ndryshme, kishte thënë se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ia kishin rrëmbyer djalin dhe prej asaj dite nuk e parë më.

Prokurori Cezary Mihailzcuck teksa prezantoi këto deklarata, tha se dëshmitari kishte deklaruar se pas tërheqjes së policisë serbe, kishin shkuar ushtarët e UÇK-së në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këta ushtarë, tha se kishin shkuar edhe në shtëpinë e dëshmitarit dhe i kishin kërkuar që të dorëzonin të gjitha armët dhe u urdhëruan që të largoheshin nga apartamenti.

“Në qershor të 1999, dëshmitari jetonte në Rahovec bashkë me shoqen edhe djalin. Shkurtimisht, pas tërheqjes së policisë ushtarake serbe, mbërritën ushtarët e UÇK-së.

Disa syresh shkuan në banesën e dëshmitarit dhe kërkonin armë. Dëshmitari u keqtrajtua, u kërcënua sepse u pretendua se ai nuk donte të jepte armët. Të nesërmen… komandanti i UÇK-së mbërriti në familjen e dëshmitarit dhe i kërkoi që t’i jepnin të gjitha armët dhe çelësat e apartamentit”, tha prokurori gjatë prezantimit të deklaratave të dëshmitarit.

Tutje, ai tha se dëshmitari dhe bashkëshortaj e tij ishin urdhëruar që të largoheshin brenda 15 minutash nga banesa e tyre dhe ata u larguan.

Prokurori tha që sipas deklaratës së dëshmitarit, djali i tij ishte rrëmbyer më 18 qershor 1999 në prani të nënës së tij nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Më 18 qershor 1999 rreth asaj date, djali i dëshmitarit u rrëmbye nga katër ushtarë të UÇK-së, me uniforma të UÇK-së dhe të armatosur në praninë e mamasë të tij. Bashkëshortes së dëshmitarit i thanë se djalin ta merrnin në stacionin e policisë për një intervistë. Pasi mori informacion për rrëmbimin e djalit, dëshmitari shkoi në stacionin e policisë së UÇK-së që ndodhej pranë ndërtesës se zjarrfikësve dhe u kërkoi që të lironin djalin dhe dëshmitarin e kyçën në një dhomë për një orë dhe më pas e liruan pas ndërhyrjes së KFOR-it”, tha prokurori Mihailczuck.

Prokurori tha se dëshmitari kishte deklaruar që pas asaj dite nuk e kishte parë më djalin e tij.

“Ismet Tara dhe një anëtar i KFOR-it shkuan më pas tek shtëpia e dëshmitarit e garantuan atë dhe shoqen e tij që djalin do ta lironin të nesërmen në mëngjes, por kjo nuk ndodhi. Të nesërmen dëshmitari dhe e shoqja e tij takuan sërish Tarën, i cili u tha se nuk e di se ku është djali i dëshmitarit. Djali i dëshmitarit nuk është parë më kurrë”, tha ai.

Predrag Dediq fillon dëshminë në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pranohen disa prova materiale

 Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka filluar që të dëshmojë dëshmitari i 32-të, Predrag Dediq, me kodin W0208 në këtë proces.

Ky dëshmitar po dëshmon përmes video-lidhjes, e po ashtu edhe katër të akuzuarit janë duke e ndjekur seancën në të njëjtën mënyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari dhe marrja e tij në pyetje do të zgjasë një ditë.

Këtë dëshmitar ka filluar ta marrë në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Cezary Mihailzcuk, si dhe është paraparë që të zgjasë gjysmë ore.

Ndërsa, mbrojtja ka paraparë katër orë që ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.Prokurori Mihailzcuk i prezantoi disa dokumente që sipas tij, dëshmitari ka dhënë deklarata në autoritete të ndryshme. E njëra prej këtyre deklaratave ishte para gjykatësit hetues në Beograd, më 31 maj 2000.

Deklaratën e dytë që dëshmitari e konfirmoi se e kishte dhënë lidhur me këtë çështje, ishte para TPNJ-së, Tribunalit të ish-Jugosllavisë.

Ndërsa, dëshminë e tretë, dëshmitari pohoi se e kishte dhënë më 12 dhjetor 2013, që është marrë nga njësia e posaçme hetimore.

Po ashtu, të gjitha këto dokumente të deklaratave të mëhershme të dëshmitarit, u pranuan si prova materiale.

-----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe dëshmitari i fundit që ka dëshmuar ka qenë i 31-të i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ai ishte dëshmitari i mbrojtur me shifrën W04753.

Ndryshe me 5 nëntor bëhen 3 vjet nga arrestimi i ish udhëheqësve të UÇK-së, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Megjithatë procesi gjyqësor është ende në periudhën fillestare, raporton RTKlive.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet. Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.

Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat