Xhevdet Pozhari kërkon dorëheqjen e ministrit Hekuran Murati, ja çka paralajmëron

Aktuale

Xhevdet Pozhari kërkon dorëheqjen e ministrit Hekuran Murati, ja çka paralajmëron

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 13:06
Xhevdet Pozhari

Analisti Xhevdet Pozhari ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Ai, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nuk ka ditë që ndonjë pensionist nuk i shkruan duke u interesuar se mos ka ndonjë lëvizje për rritje të pensioneve.

Pozhari, ka shkruar se ka ardhur koha për një protestë të re, jashtë dhe brenda Kuvendit.

Postimi i tij i plotë:

Nuk kalon ditë që ndonjë pensionist nuk më shkruan apo që nuk më ndalë në rrugë që të interesohet nëse ka ndonjë lëvizje për rritje të pensioneve. Secili prej tyre, ndjehet si në turp dhe më drejtohet me droje. E, në fakt të vetmit që duhet të turpërohen janë ata që i kanë lënë në këtë gjendje.

Edhe dje derisa kaloja në shesh kur protestonin zjarrfikësit, dy prej tyre më ndalën dhe kur mendoja se do të kërkonin përkrahje për vete, më thanë: Jo, ne mund të protestojmë edhe vet. Vazhdo të insistosh për pensionistët. Ata janë edhe më keq se ne!

Dihet se pensionistët nuk kanë forcë për të protestuar gjatë. Nuk kanë as mekanizëm për të bllokuar funksionimin e ndonjë segmenti të shtetit. Kjo pafuqi keqpërdoret në masë të madhe nga secili pushtet.

Gjatë krejt kësaj kohe i kam vëzhguar veprimet e atyre që janë përgjegjës për këtë kategori. Kam ngritur zërin sa herë që më është dhënë mundësia. Fatmirësisht, edhe shumë kolegë të tjerë e kanë bërë të njëjtën. Por, kjo nuk mjafton!

Ka ardhur koha për një protestë të re, jashtë dhe brenda Kuvendit. Aty ku vendoset veçanërisht për fatin e prindërve/gjyshërve tanë që janë lënë në mëshirën e fatit.

Por, unë këtë nuk mund ta bëjë i vetëm. Më duhet ndihma e secilit që është i gatshëm të kërkojë dinjitet për ata që dhanë gjithçka që kishin për këtë shtet. Një organizim i mirëfilltë për kërkesat modeste të prindërve tanë.

Ata nuk e meritojnë të trajtohen me kaq pandjeshmëri dhe mospërfillje.

Hekuran Murati, ose ofro zgjidhje, ose jep dorëheqje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat