Rrëfen dëshmitari që pa nga afër mbi 50 të vrarët e Familjes Jashari

Aktuale

Rrëfen dëshmitari që pa nga afër mbi 50 të vrarët e Familjes Jashari

Më: 5 mars 2024 Në ora: 09:33
Foto ilustrim

Krismat në mëngjesin e 5 marsit, u dëgjuan edhe përreth fshatit. Prekazi u zgjua nga të shtënat e para, për të rezistuar tri ditë rresht përballë ushtrisë serbe. E enjtja e parë e marsit të vitit 1998 shënon fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. Lagjja e Jasharëve është dëshmi e terrorit ndaj tre brezave të familjes heroike. Të rrethuar nga agresori serb ishin edhe banorë të fshatrave përreth, të cilët mezi arritën të varrosin mbi 50 trupa të vrarë e masakruar. Ish-veprimtari, Xhafer Murtezaj rrëfen për KosovaPress ndodhitë e atyre ditëve. Edhe pas rënies heroike, ai tregon se forcat serbe po qëndronin në brendi të fshatit, teksa banorët e Klinës së Poshtme po mobilizoheshin për hapjen e më shumë se 50 varreve për fëmijët, gra e pleq të vrarë.

“E kujtoj si të jetë sot”, kështu e nis rrëfimin Xhaferi, teksa kujton 5 marsin e vitit 1998.

Murtezaj: Drenica ka qenë e rrethuar, prej dritareve kemi parë policë

Drenica atë ditë ka qenë e rrethuar, jo vetëm afër territorit të komunës së Skenderaj, por rrethi ka qenë edhe më i gjerë. Duke filluar nga Klina, anës së Istogut, Vushtrrisë, Drenasi, ka qenë një rreth i jashtëzakonshëm që në shumë vende ka pasur edhe tortura...Më kujtohet një mëngjes i hershëm, ne i kemi afër shtëpitë këtu edhe kemi dëgjuar krismat. Ne patëm një përvojë të hidhur edhe më herët, në vitin 1991 që ishin rrethuar për herë të parë, mandej edhe në rrethimin e dytë me 1998, në janar. Kështu që tani ndodhi edhe marsi, me 5, 6 dhe 7 mars. Jemi zgjuar si zakonisht, por ka qenë e pamundur, prej dritareve kemi parë polici edhe vendosjen e policisë në pikat më strategjike dhe më të larta, snajperistë, armatim e tanke”, rrëfen ai.

Banorët e fshatrave përreth, ai shton, se nga krismat e armëve kuptuan që lufta kishte filluar. Nga data 5 e deri më 7 mars, Xhaferi tregon se ishin të rrethuar nga forcat policore serbe shumë pranë shtëpive.

Murtezaj: Kanë filluar krismat me datën 5, janë vërejtur armët e rezistencës

“Kemi qenë në gjendje të jashtëzakonshme, kemi qenë në gjendje të papërshkrueshme. Kemi ditë që po ndodhë lufta. Kanë filluar krismat tërë ditën më datën 5 , ka pasur nganjëherë ndërprerje. Janë ditur armët e rezistencës, të komandantit bashkë me të lagjes së vet, Jasharëve, sepse këtu kanë qenë të gjithë të përfshirë, por kryesisht ka qenë shtëpia e bacës Shaban, Ademit, edhe me djemtë e tyre. Të gjithë kanë qenë të përgatitur, të gjithë e kanë pritur një ditë që do të rrethohen në truallin e vet, shtëpinë e vet”, shton ai.

Ani pse jo larg nga Prekazi, ai rrëfen se e kishin të pamundur që të ju dalin në ndihmë familjes heroike nga fshati i rezistencës.

Murtezaj: Nuk kemi mundur të depërtojmë që të ju ndihmojmë

“I kemi afër shtëpitë, ndoshta diku vijë ajrore 500 metra, nuk i kemi shumë. Përveç fabrikës së municionit që na ndan. Dhe të gjitha i kemi përcjellë ato...Nuk kemi mundur të depërtojnë....Edhe sot ndjehem i dobët, sepse nuk kemi pasur mundësi të ju ndihmojmë, përveç që kemi pasur mundësi të vritemi në oborr ose në rrugë. Sepse para çdo shtëpie, apo para çdo dritareje ka qenë një shënjestër prej policisë”, tregon Murtezaj më tej.

“Kemi qenë të bindur se ata të gjallë nuk dorëzohen”, kështu vazhdon rrëfimin teksa flet për rënien heroike të tre brezave.

Ish-veprimtari Xhafer Murtezaj tregon se 53 anëtarët e Jasharëve u dërguan në morg e pastaj iu dorëzuan banorëve për t’i varrosur.

Murtezaj: Nuk ka pasur kush t’i varros trupat e familjes Jashari

“Me datën 9 nuk ka pasur kush të shkojë për t’i varrosur. Atë ditë kanë qëndruar ashtu kufomat (trupat), i ka ruajtur Nebih Ferizi edhe Naser Krasniqi, që njëkohësisht edhe atij i ishte vrarë një vëlla. Me datën 10 herën në mëngjes ka ardhur Ajnishahja, të drejtën ta them ne ende nuk guxonim me dalë. Sepse ju thash që kush ka dalë ka qenë në shënjestër edhe është vrarë. Ka ardhur Ajnishahja, dhe ju kanë thënë (serbët) që ‘nëse nuk i varrosni edhe sot, ne kemi me i varros me dhunë’. Dhe kanë marrë ekskavatorin, kanë marrë kamionin, ka ardhur ekipi i posaçëm për t’i varrosur...”, vazhdon rrëfimin ai.

Prekazi ishte rrethuar nga forcat policore serbe, ndërkohë që Xhaferi tregon se si ishin mobilizuar për të hapur varret për të gjithë të vrarët. Në hyrje të fshatit, ai shton se kishte arritur të identifikojë trupin e Hamit Jasharit dhe gruas së tij, Salës, e cila për disa vjet po bënte roje për ushtarët.

Murtezaj: Kemi hyrë në fshatin Prekaz sikur të shkojmë në pushkatim

Kemi ardhur sikur kur shkojmë në pushkatim, kemi ardhur me një mërzi të jashtëzakonshme, ndoshta me një kokë urtësi edhe pse e dinim që këta kishin bërë një trimëri, e guxim, mirëpo ana jonë e ndjenim vetën të dobët....Kur kemi ardhur te shtëpia e tyre këtu, policia në anën e epërme bënin istikame, në anën e poshtme kishin qenë në shtëpinë e bacës Hamit. Shtëpia ka qenë e djegur, bile Hamiti ka qenë i dëmtuar në pjesën e trupit, në bazë të pantollave e kemi njohur se i ka pasur disa pantolla ngjyrë kafe... Duke kaluar ashtu, po dëgjojë duke thënë (policin)-femër është. E gjetën nënën Salë”, shprehet ai.

Mes emocionesh, ai rrëfen katër ditët e vështira pas 7 marsit deri tek ceremonia e varrimit. Tregon se kishin vendosur që trupat e mbi 50 të vrarëve të varrosen në “Fushën e Pajtimit”, ku dikur bëhej pajtimi i gjaqeve. Varrimi ishte shtyrë për të nesërmen, si pasojë e mungesës së mediave.

Murtezaj: 56 varre i kemi çelur me banorë të tjerë

“Ka pasur njerëz, por shumë nuk ka pasur, dy tre persona një varr duke e çelur. 56 varre i kemi çelur. Ka ardhur Zekirja Cana dhe më tha ‘Xhevat djali, ne sot nuk i varrosim për arsye sepse nuk ka depërtuar asnjë media’. Dhe duam të ju bëjmë një varrim më dinjitoz. Dhe kemi vendosur ashtu, ju kemi thënë njerëzve ‘shkepuni shkoni, sepse ne sot nuk po e varrosim”, tregon Murtezaj.

Vështirë se do të harrojë pamjen e fshatit Prekaz, gati i bërë shkrumb e hi. Me datën 11, katër ditë pas përfundimit të luftimeve, arritën të varroseshin të gjithë trupat e vrarë e masakruar, ndërkohë që përveç tymit në gjithë fshatin nuk shihej thuajse asgjë.

Në datat 5, 6 dhe 7 mars u vranë mbi 50 persona në fshatin Prekaz, prej tyre, fëmijë, gra e pleq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat