Bytyqi: AAK-ja e gatshme për zgjedhje, Kurtin e ka kapur panika

Aktuale

Bytyqi: AAK-ja e gatshme për zgjedhje, Kurtin e ka kapur panika

Më: 10 mars 2024 Në ora: 08:51
Albana Bytyqi

Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të duhej të mbaheshin në shkurt të vitit 2025.

Por, të njëjtat kanë filluar të përmenden shumë më herët, njëjtë si nga opozita e po ashtu edhe nga pushteti.

Madje, kohëve të fundit kabineti qeveritar bashkë me kryeministrin e vendit Albin Kurti po shihen mjaft shpesh në terren.

Se a janë daljet e kryeministrit Kurti në terren fushatë për zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të rregullta apo parlamentare ka folur deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Bytyqi, thotë se Kurtin e ka kapë paniku sepse ka frikë për rezultatin që do të merr në zgjedhjet e ardhshme.

“Po kjo po shihet ashiqare që kryeministrin e ka kap panika dhe ka nis fushatën në terren. Kur them e ka kap panika, është se kryeministri ka frikë nga rezultati që do të jetë në zgjedhjet  e ardhshme meqenëse e gjithë politika e tij ka qenë premtimet të cilat nuk janë realizuar, pra rrena të njëpasnjëshme. Pothuajse gjithçka që është zotuar për ta luftuar kur erdhi në pushtet i bëri me të madhe, dhe tashmë skandalet janë të njohura për publikun”, është shprehur Bytyqi.

Sipas saj, kryeministri Kurti kalkulon gjithçka vetëm e vetëm që të përfitojë nga situata.

“Po mendoj që Albini e kalkulon gjithçka në mënyrë që të përfitojë nga situata. Çështja e dinarit veçse po e vërteton se ai nuk është bashkëpunues e assesi konstruktiv. Si çdo herë e mendon pushtetin dhe nuk ka rëndësi për të dëmi që ai e shkakton ndaj vendit dhe raportet që po i cenon me aleatët tonë”, ka thënë ndër të tjera deputetja Bytyqi.

Ndërsa, kur është pyetur se a është e gatshme AAK-ja për zgjedhje, Bytyqi ka thënë e janë të gatshëm kurdo që ato mbahen.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që ato mbahen”, është shprehur shkurt ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat