Kurti diskuton me anëtarët e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Aktuale

Kurti diskuton me anëtarët e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Më: 28 maj 2024 Në ora: 20:23
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot anëtarët e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me të cilët diskutoi bashkë për punën e rezultatet e deritanishme të ekipit ndërinstitucional, por edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar rrugës.

Ekipi ndërinstitucional, i formuar në vitin 2022 me vendim të qeverisë e i përbërë nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe organizatave të shoqërisë civile, është angazhuar në vazhdimësi në promovimin e punësimit te këto komunitete duke arritur rezultatet pozitive. Në nëntor të vitit të kaluar, ky ekip organizoi Ditën e parë vjetore të Hapur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për 100 të rinj nga komunitetet joshumicë dhe siguroi pjesëmarrjen e 500 të rinjve nga këto komunitete në Ditën e FSK-së.

Qëllimi i këtyre organizimeve ishte që të rritet informimi dhe interesimi i komuniteteve joshumicë që të aplikojnë në institucionet publike të sigurisë. Si rezultat, në gjeneratën e 59-të të Policisë e cila diplomoi në prill të këtij viti, 20% e pjesëtarëve të rinj ishin nga radhët e komuniteteve joshumicë, prej tyre 17 egjiptianë, ashkali e rom; përkundër vetëm 1 polici nga këto komunitete në gjeneratën e vitit 2022.

Në përgjithësi, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit në vitin 2023 numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës, pra 2022.

Ky ekip gjithashtu po trajton braktisjen e shkollimit nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në këtë drejtim, krahas bursave të shumta për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, në vitin 2022 dhe 2023 Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte ndarë 200,000 euro për qendrat mësimore për fëmijët e këtyre komuniteteve, kurse këtë vit ka ndarë 50,000 euro më shumë.

Kryeministri i përgëzoi për arritjet dhe rezultatet e arrira dhe ua konfirmoi vullnetin dhe përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për progres shoqëror të gjithmbarshëm dhe avancim të mëtejmë të komuniteteve joshumicë përmes mbështetjes dhe politikave qeveritare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat