Diplomati austriak për Veselin: E di që është marrë me shërbime informimi për UÇK-në, gjatë luftës ishte...

Aktuale

Diplomati austriak për Veselin: E di që është marrë me shërbime informimi për UÇK-në, gjatë luftës ishte...

Më: 29 maj 2024 Në ora: 08:30 Përditësuar në ora: 15:51 më 29.05.2024
Jan Kickert

Diplomati austriak për Veselin: E di që është marrë me shërbime informimi për UÇK-në, gjatë luftës ishte prezantuar si numri 7

Diplomati austriak, Jan Kickert tha se e di që Kadri Veseli është marrë me shërbime informimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se gjatë luftës ishte prezantuar si numri 7, po ashtu si partner politik.

Këtë deklarim, Kickert e bëri pasi nga gjyqtari Christoph Barthe u pyet se a e dinte cilat ishin detyrat e Veselit gjatë kohës së luftës dhe në përfundim të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas dëshmitarit, diplomatët nuk ishin të interesuar se cili ishte pozicioni i pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët i takonin.

“Ai është prezantuar si numri 7 në atë kohë. Po ashtu, ai është prezantuar edhe si bashkëbisedues ose si partner politik dhe sikurse e thash më përpara donim të kishim sa më shumë bashkëpunues politikë. Kështu që prezumimi ynë ishte që ai luante një rol politik në UÇK, sikurse e thash edhe më herët si diplomatë ne nuk ishim të interesuar se çfarë pozicioni kishin në armatimin ushtarak ose në ushtri se nuk kisha fare lidhje me këtë çështje”, tha ai.

Gjithashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka pasur ndonjë informacion që e ka bërë të besonte se Veseli kishte ndonjë rol të Zbulim-Kundërzbulimit gjatë kohës së luftës.

“Jo, gjatë luftës jo. Unë e kam takuar atë në një tjetër cilësi. E kam takuar atë vetëm pas luftës, përmes kolegëve siç ua shpjegova dhe nuk di si të përgjigjem pyetjes tuaj dhe vetëm di që ai merrej me shërbime informimi për ish-UÇK-në”, tha dëshmitari.

Kickert shtoi se nuk është në dijeni të ndonjë shërbimi të Zbulim-Kundërzbulimit ose të inteligjencës ushtarake. Gjithashtu, tha se nëse do të kishte gjëra të tilla nuk do të çuditej.

Gjyqtari Barthe tha se në deklaratat për ZPS-në, dëshmitari kishte përmendur se Veseli kishte postin e shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës.

“I keni thënë ZPS-së që në fund të 1999 dhe në fillim të 2000 jeni takuar me Veselin, megjithëse thatë që gjithmonë e më pak jeni marrë apo keni pasur takim me zotin Veseli se sa ishte ai shef i Shërbimit Informativ. Së pari, nga e dinit ju që Veseli kishte këtë post”, pyeti gjyqtari.

Por, diplomati austriak tha se kishte kolegë që merreshin me këtë fushë dhe e kishin takuar Veselin në cilësinë e shefit të Shërbimit Informativ.

“Kisha kolegë evropianë që merreshin me këtë fushë, pra me fushën e informimit dhe kishin takuar Veselin në këtë post të tij dhe gjithashtu ishte edhe dikush tjetër nga bashkësia ndërkombëtare që po përpiqej që të mund të fitonte një lloj kontrolli mbi elementë të caktuar të cilët pas luftës kishin tendencë të shkonin në drejtim të krimit të organizuar”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se nuk ka njohuri se kush e emëroi në këtë post Veselin dhe se si ishte përzgjedhur ai.

Ndër tjerash, Kickert deklaroi se nuk e dinte me siguri nëse katër të akuzuarit ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Për mua, baza kryesore e informacionit për pyetjen tuaj është raporti që ua kam treguar sot. Por, në qoftë se e dija përbërjen në qoftë se këta persona ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, unë e vë në dyshim këtë. Unë nuk mund t’ua them me siguri”, tha dëshmitari.

Ndërsa, lidhur me një takim me Adem Demaçim që dëshmitari e kishte pasur më 6 korrik 1998, pohoi se ky i fundit i kishte thënë se ai nuk ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së dhe se nuk i kishte treguar nëse ishte dikush tjetër.

Sipas tij, vazhdimisht kishte pretendime nga ana serbe, disa të publikuara në media shqiptare për ndalime dhe rrëmbime nga ana e UÇK-së. Megjithatë, ai tha se nuk ka prova për gjëra të tilla dhe se nuk besonte shumë në propagandën e asnjërës palë.

Avokati i Krasniqit: Një dëshmitar ka thënë se i kujtohet që Rugova i është referuar UÇK-së si “lojë serbe”

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Aiden Ellis tha se kanë dëgjuar një dëshmitar së fundi të thoshte se i kujtohet që Presidenti Ibrahim Rugova ka thënë në media që Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte “lojë serbe”.

“Kemi dëgjuar një dëshmitar të thoshte që i kujtohet që Rugova është cituar të thoshte që UÇK-ja ishte një lojë serbe”, tha Ellis.

Por, diplomati austriak Jan Kickert i cili po e vazhdon dëshminë edhe të mërkurën në Hagë, tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Ellis, i cili po vazhdon ta marrë në pyetje Kickert, u fokusua në verën e vitit 1998 kur si pjesë e diplomacisë së jashtme dëshmitari po bënte përpjekje për të kontaktuar me përfaqësuesit e UÇK-së për të formuar një platformë të shqiptarëve të Kosovë që të përfshiheshin në negociata.

Ellis tha se ka pasur deklarata nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që thoshin se UÇK-ja ishte “pjesë e ushtrisë serbe”.

“Ka pasur deklaratë nga LDK-ja nga disa anëtarë të LDK-së që thonin se UÇK-ja nuk ekzistonte si pjesë ose ishte pjesë e ushtrisë serbe mbase”, tha Ellis.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ka pasur mundësi që të ekzistonin fjalë të tilla pasi që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që kishte LDK-ja.

“Jo që nuk ekzistonte se nuk më kujtohet kjo, por siç jam përpjekur të shpjegoj edhe dje, kishte një lloj loje politike në qoftë se mund të thoja kështu dhe kishte një lloj qasje që në popullatën shqiptare ekzistonte frika e humbjes së monopolit politik që e kishte LDK-ja dhe prandaj mund të qarkullonin fjalë të tjera”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së.

“Disa nga anëtarët e LDK-së e mohonin ekzistencën e UÇK-së, kjo është e vërtetë”, tha dëshmitari.

Diplomati austriak tha se nga mesi i 1998-ës e kishte kuptuar se Jakup Krasniqi kishte pozitën e zëdhënësit të UÇK-së. Ndërsa, para se të caktohet ai, dëshmitari tha se në këtë pozitë ka qenë Bardhyl Mahmuti.

“Ka qenë Bardhyl Mahmuti, ka qenë një zëdhënës që punonte në Gjenevë, por gjithsesi nuk besoj që ka raportuar ai ndonjëherë përpara grupit të kontaktit”, tha dëshmitari.Dëshmitari pohoi se Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi kanë qenë zyrtarë të LDK-së përpara se t’iu kyçeshin UÇK-së. Ndërsa, në takimin që kishte pasur me të akuzuarin, ish-diplomati austriak tha se u prezantua me emër.

“Zotëri Krasniqi nuk kishte nofkë dhe thjesht ne po spekulonim se çfarë numri mund të kishte ai”, tha Kickert.

Megjithatë, dëshmitari tha se në atë takim që kishte pasur me Krasniqin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, nuk besonte se tashmë i akuzuari mund të merrte vendime.

Në shënimet që kishte nxjerrë dëshmitari nga takimi me Jakup Krasniqin dhe të tjerët, ai kishte shkruar se dikush i kishte thënë ‘asnjëherë mos e pranoni listën e Milazim Krasniqit për t’u diskutuar’.

Për këtë, dëshmitari tha se UÇK-ja po e mohonte faktin që Milazim Krasniqi të ishte drejtues i platformës shqiptare në Kosovë, pasi ai konsiderohej si afërt me Rugovën.

“Po, UÇK-ja përmes bashkëbiseduesve tanë, po e mohonin faktin që Milazim Krasniqi do të ishte drejtuesi i kësaj platforme në Kosovë sepse ai konsiderohej si shumë i afërt me Rugovën”, tha ai.

Diplomati austriak shtoi se për këtë gjë kishte folur Jakup Krasniqi, por pa i përjashtuar edhe të tjerët.

“Me sa më kujtohet mua, për të folur ka folur Jakup Krasniqit. Ai ka qenë zëdhënësi. Nuk mund të them me përqindje se kush ka folur dhe sa për qind të takimit, por Jakup Krasniqi ka qenë një prej folëseve në këtë takim”, tha ai.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon dëshminë e tij, dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cilit martën e ka filluar dëshminë, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmitari Jan Kickert ka theksuar se përmes rrugëve të tyre të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të presidentit serb, Sllobodan Millosheviq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosovë. “Ne morëm vesh që forcat jugosllave do të dëbonin shqiptarët drejtë vendeve fqinje, drejtë Shqipërisë dhe Maqedonisë në formën e patkoit nga qendra drejtë periferisë dhe më pastaj drejtë vendeve fqinjëve. Unë këtë informacion e kam marrë nga atasheu ynë ushtarak”, tha dëshmitari.

Ndërsa, duke u fokusuar në periudhën e pas luftës, dëshmitarit iu vendos një video e Hashim Thaçit në të cilën thoshte se nuk do të lejojnë anarki dhe frymë të jotolerancës në Kosovë si dhe ata do të respektojnë rregullat dhe rendin demokratik.

Dëshmitari ka theksuar se ishte në dijeni për qëndrimin e Thaçit dhe politikat e tij që etnitë e tjera të jetojnë në Kosovë. Ai gjithashtu, pohoi se Thaçi kishte tentuar që të shkojë të takohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me civilët serb për t’i bindur ata që të qëndrojnë në Kosovë.

Më pas shkurtimisht, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson i cili e pyeti lidhur me datat se kur ishte takuar diplomati amerikan me të akuzuarin gjatë periudhës së luftës.Kurse, në pyetjet e mbrojtjes së Selimit përmes avokatit Geoffrey Robert, dëshmitari ka thënë se në vitin 1999 UÇK-ja ishte më e strukturuar se në vitin 1998.

Dëshmitari të martën e mohoj të ketë dëgjuar për formimin e Gjykatës Ushtarake në UÇK dhe obligimin e Thaçit për mbikëqyrjen e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat