Skepticizëm se mund të ketë rezultate në takimin mes Kurtit e Vuçiqit, shkak zgjedhjet në BE

Aktuale

Skepticizëm se mund të ketë rezultate në takimin mes Kurtit e Vuçiqit, shkak zgjedhjet në BE

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 06:55
Pamje nga takimi

Pas më shumë se nëntë muajsh, do të ulen ballë për ballë në tryezën e diskutimeve në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq do të takohen në kryeqendrën evropiane më 26 qershor.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se në fokus të diskutimit do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj dhe rrugën përpara.

Mirëpo njohësit e politikës vlerësojnë se një takim i tillë nuk do të ketë produktivitet.

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj thotë se kjo do të ndodhë për shkak të fundit të mandatit të BE-së.

“Do të jetë një takim sa për sy e faqe. E para që Borrelli përkatëisht Lajçaku ta arsyetojë atë që e ka në përshkrimin e punë së tij ndërsa në anën tjetër dyja palët duhet të takohen në mënyrë që mos të paraqiten si palë dekonstruktive. Për më tepër Kosova ka nevojë që të shkojë të ulet për shkak të problemeve që i ka me sanksionet e masat”, tha Canaj.

Edhe njohësi i çështjeve politike thekson se nuk do të ketë rezultate për shkak të fazës tranzitore të institucioneve të BE-së.

“Në të njëjtën kohë Kosova është në një vit elektoral ku praktikisht siç e dini temat nacionaliste dhezin nëpër fushata elektorale edhe pse nuk është fushata ende zyrtare ne jemi në fushatë zyrtare sepse ky është vit elektoral dhe siç e dijmë BE me pafuqinë e saj për të ndërhyrë në dialogun mes Kosovës e Serbisë për të ofruar zgjidhje konkrete dhe të imponuar ndonjë zgjidhje tek Kosova apo Serbia ka lejuar që shpeshherë këto tema të përdoren për çështje të brendshme të liderëve politikë, më herët i ka përdorur presidenti Vuçiq për nevoja elektorale në Serbi tani po i përdor kryeministri Kurti”, tha njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar do ta përdorë heqjen e masave si pretekst për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“BE-ja e lidh kryesisht heqjen e masave të Kosovës me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sepse krijimi i këtij Asociacioni sipas tyre edhe do t’i integrojë serbët në veriun e Kosovës”, tha ai.

Takimi i fundit mes dy liderëve ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar, derisa kryenegociatorët janë takuar disa herë në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat