Diplomati sllovak Miroslav Lajçak nuk do ta marrë postin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Zvicër pasi u nominua për këtë detyrë nga përfaqësuesi i Lartë i BE’së Josep Borell në prill të këtij viti.
Lajçak e pati në plan të niste punën në Bernë në fillim të këtij muaji, por më pas iu zgjat mandati si emisar në dialogun Kosovë-Serbi deri në janar të 2025-ës. Përfundimisht, njoftoi BE, Lajçak nuk do të jetë ambasador në Zvicër për shkak të “zhvillimeve të paparashikuara”. Por, ky vendim nuk ka të bëjë me procesin e dialogut.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka treguar arsyen se pse Lajçak u tërhoq nga posti i ambasadorit në Zvicër. Në lajmërimin e së premtes nga BE për këtë zhvillim u tha se arsye e anulimit ishin “zhvillimet e paparashikuara”.
Por, BE thotë se vendimi është i Lajçak i cili ka zgjedhur të ndjekë një karrierë të re.
“Z. Miroslav Lajçak ka vendosur të tërheqë [vendimin] e pranimit të postit të tij si ambasador i BE-së në Zvicër dhe në Principatën e Lihtenshtajnit në mënyrë që të ndjekë një rrugë tjetër në karrierën e tij, pasi mandati i tij si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë i skadon në janar të vitit të ardhshëm. Ky vendim nuk ka lidhje me dialogun”, tha Stano.
Më 6 shtator, BE në faqen e saj zyrtare njoftoi për anulimin e vendimit për Lajçakun dhe njoftoi se ambasadorit aktual në Bernë iu zgjat mandati.
“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, ambasadori i caktuar i BE-së për Zvicrën dhe Principatën e Lihtenshtajnit, z. Miroslav Lajčák, përfundimisht nuk do të marrë postin në Bernë. Prandaj, mandati i ambasadorit aktual të BE-së, Petros Mavromichalis, në detyrë që nga shtatori 2020, është zgjatur deri më 31 gusht 2025”.
Bashkimi Europian më 26 korrik kishte njoftuar për zgjatjen e mandatit të Lajçakut deri më 31 janar 2025. Por, tash nuk dihet nëse do të ketë zëvendësues të Lajçakut vitin e ardhshëm siç ishte në planet e BE-së që me ardhjen e kryediplomatit të ri të ketë edhe një udhëheqës të ri në dialogun Kosovë-Serbi.
Lajçak në mandatin e zgjatur do të ketë në krye shefen e re të diplomacisë së Unionit, Kaja Kallas, qasja e së cilës ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet të shihet se si do të jetë.
Lajçak, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, u emërua për herë të parë në krye të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor më 2 prill 2020.
Si ndërmjetës si është akuzuar nga pala kosovare shpesh si i njëanshëm në favor të Serbisë, ndonëse pala kosovare asnjëherë s’e ka ndërprerë bashkëpunimin me të.
Të premten Lajçak u kritikua nga pala serbe. Petkoviq e akuzoi atë për deklaratën në Prishtinë duke thënë se e hoqi nga agjenda e Brukselit hapjen e Urës së Ibrit.