Muja shkakton të qeshura në Kuvend, Abdixhiku me kritika të ashpra ndaj Kurtit - ja çka i kujton

Aktuale

Muja shkakton të qeshura në Kuvend, Abdixhiku me kritika të ashpra ndaj Kurtit - ja çka i kujton

Më: 12 shtator 2024 Në ora: 07:40 Përditësuar në ora: 15:54 më 12.09.2024
Kuvendi i Kosovës

Mungojnë deputetët, dështon vazhdimi i seancës

Vazhdimi i seancës së sotme plenare ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve.

Vazhdimi i seancës ishte paraparë të nis në orën 14:30, por nisi në orën 15:00. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nisi seancën duke i rekomanduar deputetëve që mos t’i ndërrojnë vendet për shkak të instalimit të paisjeve të reja.

Ai tentoi të votohet njëri nga projektligjet por nuk kishte kuorum.

Konjufca shtoi se ka menduar që deputetët mezi e kanë pritur sesionin vjeshtor i cili nisi sot, por siç duket jashtë ka gjëra më interesante. Në fund mbylli seancën për të vazhduar ditëve në vijim për shkak se në sallë ishin vetëm 57 deputetë. 

Ilir Bytyqi bëhet anëtari i ri i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës

Ilir Bytyqi është zgjedhur anëtar i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar.

Kjo u bë pas një procesi të votimit që sot u mbajt në Kuvendin e Kosovës nga deputetët që ishin të pranishëm.

Berisha i pati 71 vota, kurse kundërkandidati i tij, Bul Salihu i mori pesë vota, në krejt procesin ishin katër vota të pavlefshme.

Mandati i Bytyqit do të jetë dy-vjeçar.

Hykmete Bajrami: Mandati i Qeverisë “Kurti” po përfundon me manipulime me shifra

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se mandati i Qeverisë “Kurti” po përfundon me manipulime me shifra.

Duke reaguar ndaj deputetit të pushtetit, Armend Muja, i cili tha se falë Qeverisë 1 miliardë euro janë më shumë në buxhet të shtetit.

Për këtë, deputetja e LDK-së ka përmendur premtimet që janë bërë nga kryeministri Albin Kurti.

“Gati katër vite mandat kanë shkuar duke manipuluar me shifra. Inflacioni gjatë qeverisjes suaj i ka kushtuar ekonomisë  këtij vendi 1.6 miliard euro. Dhe sot ju thuani se i ke i sjell miliarda euro buxhet të Kosovës. Po zotëri po si i keni marr këto miliarda, prej gjepave të qytetarëve… Çka me premtimin e juaja për qumësht më të lire, për vaj me të lirë, për sheqer më të lirë, këtyre produkteve ju është dyfishuar çmimi e juve ju janë dyfishuar tatimet duke ju mundësuar që të rritet buxheti i Kosovës, mos flisni për politika fiskale. A e dini që ministri i Financave qe është këtu, ende e ka drejtor të Administratës Tatimore që ja ka caktuar Bedri Hamza në qeverisjen PAN, jashtë kritereve ligjore, jashtë rregullave përmes një konkursi të manipuluar”, u shpreh ajo.

Vitia thotë se Haxhiu “volli vrerë” me të pavërteta rreth shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se për shkak të keqqeverisjes, sistemi shëndetësor është drejt kollapsit.

Në fjalën e tij në seancën e sotme, Vitia tha se deklaratat e Haxhiut për ikjen e mjekëve nga Kosova janë të pavërteta, duke nënvizuar se trendi i ikjes së tyre këtë vit është ulur.

“Deputeti Haxhiu tha disa të pavërteta dhe më duhet t’i tregoj se me gjysmë informacione dhe të pasakta me ardh me vjell vrerë këtu nuk është korrekte. Në shtatë vitet e fundit, hera e parë sivjet që trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova është ulur. Shikoni shifrat dhe s’ka nevojë të flasë sepse këto shifra i ka edhe deputeti Haxhiu dhe del thotë të pavërteta. Ulja e numrit të ikjes së mjekëve vjen për shkak të rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës”, tha Vitia.

Tutje, ministri Vitia mohoi se SHSKUK po mbyll disa shërbime duke theksuar se përkundrazi çdo ditë po hapen të reja në spitale regjiionale.

“Ne çdo ditë po hapim shërbime të reja në spitalet regjionale dhe është e pavërtetë që SHSKUK parashikon mbyllje të shërbimeve. Kjo duhet të adresohet. Ato do të forcohen edhe më shumë në mënyrë që fluksi i pacientëve të ulet në QKUK”.

Sa i përket barnave, Vitia tha se QKUK kurrë më shumë nuk ka qenë e furnizuar më barna.

Inaugurimi i Emergjencës, Haxhiu thotë se shtretërit u morën nga Pediatria për promovimin e Kurtit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha sot në kuvend se kur u bë inaugurimi i Klinikës së Emergjencës, shtretërit janë marrë nga spitali Pediatrik për një promovim të kryeministrit Albin Kurti,

Sipas tij, kjo është tragjedi.

“Për të bërë promovime kur u inaugurua Klinika e Emergjencës, shtretërit merren nga spitali Pediatrik për një promovim të kryeministrit Kurti, nga traumatologjia e fëmijëve.

Kjo është fatkeqësi, tragjedi dhe paaftësi që në momentin e inaugurimit të Emergjencës të merren shtretërit nga traumatologjia e fëmijëve. Pse a nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për të blerë shtretër të rinj në Emergjencë, apo duhet të bëhen vetëm fasada e lyerje”, tha ai.

Bekim Haxhiu: Me keqqeverisje e korrupsion, po shkatërrohet sistemi shëndetësor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese ikja masive e profesionistëve shëndetësor nga Kosova. Sipas tij, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë ka rënduar edhe më shumë situatën, duke dekurajuar profesionistët shëndetësor.

Ai ka thënë se deri më 1 qershor 2024, mbi 3,860 profesionistë shëndetësor kanë lënë vendin në tri vitet e fundit, dhe shumë të tjerë janë transferuar nga sektori publik në atë privat, duke krijuar një situatë alarmante për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Ikja e profesionistëve shëndetësor është shndërruar në një dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësor", ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se ky fenomen do të mund të çojë në kolapsin e sistemit shëndetësor nëse vazhdohet me këtë ritëm.

Për këtë situatë, ai ka thënë se është shkak i keqqeverisjes dhe paaftësisë së qeverisë, duke përmendur se statuti i SHSKUK-së parashikon mbylljen e disa shërbimeve në spitalet regjionale.

“Kjo është pasojë e keqqeverisjes ku edhe me statutin e SHSUKS parashihet mbyllja e disa prej shërbimeve në spitalet regjionale. Paaftësia e qeverisë, keqqeverisja në shëndetësi korrupsioni në këtë sektor ka rënduar edhe më shumë gjendjen në shëndetësi dhe ka dekurajuar profesionistët shëndetësor”, ka deklaruar Haxhiu ne seancën plenare te Kuvendit të Kosovës.

Bekë Berisha: Pas urës së Saradranit, Qeveria ka instaluar edhe mikrofonat në Kuvend

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka “përgëzuar” pushtetin për rregullimin e pajisjeve teknike, si dhe thotë se kanë rregulluar edhe “urën e Saradranit”.

Tutje ai shton duke thënë se tani mund të flasin edhe për arritjet tjera të kësaj qeverie.

“Po më gëzon një fakt që Kuvendi i ka ndreq mikrofonat, pas urës Saradranit, kanë arrit pas katër vjet me i ndreq edhe mikrofonat.

Tash do të kemi mundësi me folë edhe për arritjet tjera që i keni bërë ju, ju përgëzoj për këto punë të mirë, më urë të Saradranit, me mikrofona, krejt i keni kry, bravo”, ka ironizuar Berisha.

Deputeti turk ankohet për çmimet e librave të komuniteteve, Nagavci: I kemi marrë të gjitha veprimet

Deputeti i komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, Enis Kervan, është ankuar për çmimet e librave të komuniteteve gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se për këtë çështje kanë marrë veprime.

Kervan u ankua se ka pasur shkelje të çmimeve për librat e komunitetit turk.

Për këtë, ministrja e Arsimit u shpreh se kanë identifikuar disa shkelje e në disa raste kanë shqiptuar edhe dënime.

“Ne i kemi analizuar me kujdes të gjitha shqetësimet qe kanë ardhur dhe kemi përcjellë situatën në lidhje me çmimet e teksteve. Për herë të parë ne kemi tekste për fëmijët e komuniteteve në gjuhen e tyre. Ne tani duhet të kujdesimi që ata nuk diskriminohen me çmimet. Për këtë arsye në bashkëpunim edhe me MINT, kemi pasur vizita në librari dhe kemi identifikuar shkeljet, në disa raste janë shqiptuar dënimet ndaj shtëpive botuese që nuk kanë respektuar legjislacionin ne fuqi. Po ashtu ju njoftoj që zyrtarët e MASHTI-t për komunitete kanë kontaktuar shtëpitë botuese sepse këtë vit nuk ka arsye që të këto çmime për këto tekste të jetë më i lartë”, u shpreh Nagavci.

Muja thotë se rritja ekonomike është “arma e fortë” e Qeverisë që s’po diskutohet, të qeshura në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja foli në emër të grupit parlamentar në hapje të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se fjalimin e parë do t’ia kushtonte performancës ekonomike, duke e vlerësuar atë si “armë të fortë” të qeverisë. Kjo shkaktoi të qeshura në Kuvend.

“Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutu shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike”, tha Muja.

Për shkak të të qeshurave dhe reagimeve, iu desh të ndalej pak. “Në tremujorin e parë të.. a ka mundësi pak qetësi?”.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të ASK-së rritja e raportuar ishte 5.6% në terma realë, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeveria, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%, larg përtej krahasimisht rritjeve që kanë ndodh paraprakisht”, vazhdoi Muja.

“E veçanta e kësaj rritjeje ekonomike në 2-3 vitet e fundit”, sipas Mujës, është se “kjo është rritje ekonomike pa borxh, nuk është e bazuar në borxh”.

Muja tha se “po të mos ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin”.

“Rrjedhimisht, i gjithë financimi i shtesave për fëmijë, i gjithë financimi për fëmijë do të mungonte”, tha deputeti i LVV-së, duke e lavdëruar administrimin e politikës fiskale.

Abdixhiku ia përmend Kurtit “goditjet” nga ndërkombëtarët: Gjendje fatale për Republikën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vazhduar me kritika ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit.

Ai thotë se me qeverisjen e tyre, u godit shtetësia e Kosovës.

Siç thotë Abdixhiku, kemi marrë “goditje fatale për republikën”, duke përmendur vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës.

“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshuar si katër vite më parë. Për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë. Në pabesinë më të madhe historike, kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tonë, i sulmojmë ata, i godasim ata e në fund asnjë rezultat dhe njollën e një shteti të vetmuar. Për katër vet skemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim, jemi nën masa e sanksione. Katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapsht. Veçse kemi kaluar përtej pikës së kthimit. Shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Gjendje fatale për republikën”.

Tutje ai thotë se jemi në prag të përjashtimit nga Procesi i Berlinit, për të humbur përfundimisht barabartësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Si mund të mburremi me një përfundim të tillë. Jemi në prag të përjashtimit nga Procesi i Berlinit, për të humbur përfundimisht barabartësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë pasojat serioze të kësaj politike populliste”, thotë ai.

Kreu i LDK-së, tutje përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se ka një urë tjetër në Badovc, me të cilën qeveria nuk merret.

“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishim për. Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt e shqip, sepse ka një vijë që nuk e kalojmë dot. NATO dhe Kosova janë bashkë. Asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosvoës. Përveç urës së Ibrit ka një urë në Badovc, aty nuk ka as NATO as media, aty s’ka asnjë pengesë që kjo urë të përfundojë tash e sa vjet. Mijëra vetura kapërcëjne rrugën që nuk ka urë, por qeverinë nuk e ke aty as duke lyer e as duke testuar e ndërtuar atë. Kjo është zgjedhja jonë sot”, u shpreh Abdixhiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat