Maliqi: Vuçiq i la hapësirë Kurtit në veri - të dy po e vonojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse frikësohen se e humbin pushtetin

Aktuale

Maliqi: Vuçiq i la hapësirë Kurtit në veri - të dy po e vonojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse frikësohen se e humbin pushtetin

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 12:53
Shkëlzen Maliqi

Publicisti shqiptar, Shkëlzen Maliqi tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i solli serbët në veri të Kosovës në këtë gjendje dhe tash po sillet si shpëtimtar i tyre, duke iu thënë të kthehen në institucione.

Maliqi tha se Vuçiq po sillet sikur të mos ishte ai që i urdhëronte serbët të largoheshin masivisht nga institucionet e Kosovës dhe t’i bojkotonin zgjedhjet.

“Më shumë i leverdiste që ta thellonte krizën në Kosovë”, thotë Maliqi në një intervistë për gazetën e pavarur serbe, Danas.

Maliqi tha se “problemi kryesor është se nuk dëgjohen zërat autentikë të serbëve nga veriu”. Ata, sipas tij, mbahen “të frikësuar nga politika perverse e Aleksandër Vuçiqit, Lista Serbe dhe shërbimet sekrete”.

“Urdhri joserioz, madje edhe budallallik i Vuçiqit që serbët të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, dmth nga policia, gjyqësori, autoritetet komunale etj. dhe më pas urdhri për bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në katër komuna të veriut, e vështirësoi pozitën e serbëve sepse shumë në fakt morën paga të dyfishta, si zyrtarë të institucioneve të Kosovës ashtu edhe nga Serbia”, thotë Maliqi.

Ai tha se masat e paralajmëruara nga Vuçiqi së fundmi janë “një kalkulim afatshkurtër”.

I pyetur për armatosjen e Serbisë, Maliqi tha se ajo “gjithsesi do të duhet të presë edhe disa vite për dërgesat e avionëve francezë”.

“Por blerja e armëve dhe retorika militariste i shërben Vuçiqit për të qëndruar në pushtet, sepse ai gjoja kujdeset për një luftë të mundshme më të madhe për të cilën Serbia duhet të përgatitet, sipas logjikës, nëse lufta e Ukrainës përhapet në një luftë europiane dhe botërore, ja shansi për ta rifituar Kosovën”, tha Maliqi.

Publicisti tha se “Kurti u bë kokëfortë sepse iu dha hapësira për kontrollin policor të veriut”. Ai përmend se propaganda në Beograd “e trajton çdo rast të tillë si rrezik dhe diskriminues ndaj serbëve”.

“E përsëris, sot Vuçiq akuzon policinë e Kurtit se po i terrorizon serbët, por një perceptim i tillë nuk do të ekzistonte nëse ai vetë nuk do t’i kishte urdhëruar policët serbë t’i heqin uniformat e policisë së Kosovës. Politika dritëshkurtër e Vuçiqit e manipulimit rreth veriut i defaktoroi plotësisht serbët në veri. Sot në Kosovë, ata mbrohen efektivisht vetëm nga kontingjenti ushtarak i KFOR-it, i cili është përgjegjës për paqen dhe sigurinë në Kosovë, e jo nga formacioni policor”, tha ai.

Maliqi tha se Kurti dhe Vuçiq “po mundohen ta vonojnë sa më shumë zbatimin” e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër, sepse “kanë frikë se do të humbasin pushtetin”.

Ndërsa flet për Kurtin, Maliqi thotë se “tani në periudhën e përgatitjes për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit”, ai arriti ta krijojë përshtypjen se “e ka çliruar veriun” mirëpo, sipas tij, “Kurti, përkundrazi, më së shumti ishte frenues”.

Ai thotë se Kurti nuk e kupton vetëvendosjen e popullit si “një proces kompleks historik dhe zhvillimor”.

“Ai nuk e kuptoi se ideja e të drejtës për vetëvendosje duhet verifikuar në shumë aspekte dhe jo vetëm në një vend, me vulën përfundimtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat