“Kokën lartë Hysen!”- Pas akuzave për manipulim të votave, reagon Abdixhiku: Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata..

Aktuale

“Kokën lartë Hysen!”- Pas akuzave për manipulim të votave, reagon Abdixhiku: Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata..

Nga: M.L. Më: 5 mars 2025 Në ora: 10:52
Hysen Sali Çekaj dhe Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas sulmeve që po i bëhen kësaj partie nga Lëvizja Vetëvendosje për manipulim të votave me postë.

Në një postim në Facebook, Abdxhiku ka shprehur një mbështetje të fuqishme për Hysen Çekajn, djalin e heroit Sali Çekaj që po përballet me sulme të ndryshme pas suksesit në rezultatin zgjedhor.

Abdixhiku shpjegon se, edhe pse Çekaj është një figurë e re në politikë dhe ende nuk ka nisur karrierën e tij politike, ai po sulmohet nga ata që kërkojnë ta dekurajojnë dhe ta njollosin, sepse ai ka arritur të thyejë një mit të vjetër.

Abdixhiku falënderon mërgatën për mbështetje dhe e inkurajon Hysen Çekajn që të mbajë kokën lart dhe të vazhdojë përpara në rrugën e tij.

Postimi i plotë:

Mllef e plot vrer për një djalë të ri nga mërgata, sepse merr vota, merreni me mend, nga vet mërgata.

Nga vendi ku ka kaluar gjithë jetën e tij - me barrën e babës hero mbi supe - dhe me ëndrrën e madhe se një ditë do të kthehet në vendlindje në shërbim!

Në moçalin e madh të pështymave e të konspiracioneve të liga, të partisë që në ambasada mbushë thasë me vota, e në Kosovë nxitë veç helm e vrer, Hysen Sali Çekaj qëndron fort dhe duron me dinjitet gjithë këtë sulm të egër - ende pa nisur mirë karrierën e tij politike.

E sulmojnë sepse duan ta dekurajojnë, njollosin e zhvlerësojnë. Sepse janë me mllef, me shumë mllef, që ai së bashku me ne, theu një mit që s’mendohej se do të thyhej ndonjëherë!

Si një njeri i urtë, si një djalë i jashtëzakonshëm, ai ka më së paku nevojë për mbrojtje. Tani me barrën e re të përfaqësimit, ka veç një mision. Të shenjtin para vetes. Që popullizmin rrënues, atë që po na mbanë peng në urrejtje, ta çrrënjosë me ka krejt, e herën tjetër të dyfishojë këtë mbështetje.

Kokën lartë Hysen!

Ky mision është fisnik për të gjithë ne. Shihe me çfarë duhet ballafaquar këndej!

E juve mërgatë, sërish, për të satën herë, edhe një herë, ju faleminderit! ✌️

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat