Verifikimi i statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, zgjatet edhe për dy vjet procesi i aplikimit

Aktuale

Verifikimi i statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, zgjatet edhe për dy vjet procesi i aplikimit

Më: 26 mars 2025 Në ora: 20:16
Pamje nga takimi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku u dakordua vazhdimi i procesit të aplikimit edhe për dy vjet.

Në takim u bisedua për punën dhe angazhimin e Komisionit qeveritar dhe organizatave të autorizuara në një proces shumë të rëndësishëm e të ndjeshëm për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. U theksua nevoja për inkurajimin e mëtejshëm të të mbijetuarave për të aplikuar për njohjen e statusit të tyre.

Në takim u tha se një diskutim më i gjerë publik mbi këtë çështje mund të jetë i nevojshëm, duke synuar një proces sa më të hapur dhe gjithëpërfshirës në trajtimin e nevojave dhe të drejtave të të mbijetuarave/ve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mënyrat për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit, organizatave të autorizuara KRCT, Medica Kosova, Medica Gjakovë dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas, si dhe me zyrat komunale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës, thuhet në komunikatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat