Pa konsensus, shtyhet edhe për 48 orë seanca konstituive - të shtunën seanca tjetër!

Aktuale

Pa konsensus, shtyhet edhe për 48 orë seanca konstituive - të shtunën seanca tjetër!

Më: 17 prill 2025 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 13:55 më 17.04.2025
Kuvendi i Kosovës

Opozita s’i bindet Deharit, Haxhiu: Nuk kanë të drejtë të bëjnë debat

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se partitë politike nuk kanë të drejtë të debatojnë në seancën konstituive, derisa iu referua opozitës për mos pranimin e takimit konsultativ të ftuar nga kryesuesi, Avni Dehari, raporton KosovaPress.



Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se partitë politike nuk kanë të drejtë të debatojnë në seancën konstituive, derisa iu referua opozitës për mos pranimin e takimit konsultativ të ftuar nga kryesuesi, Avni Dehari, raporton KosovaPress.

Në një adresim për media, Haxhiu tha se sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryesuesi nuk ka të drejtë të ftojë përfaqësuesit e partive politike për takim konsultativ, derisa theksoi se Partia Demokratike e Kosovës insiston në diçka që sipas saj është bërë, dorëheqjen nga pozitat aktuale të qeverisë Kurti.

Haxhiu: Debati në seancë konstituive nuk lejohet, pra është i ndaluar dhe theksohet shprehimisht

"Siç e kuptuat kryesuesi i seancës para se të fillonte me rendin e ditës i ftoi në takim konsultativ konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike. Në këtë drejtim ne ishim në një takim konsultativ dhe është e habitshme që të dëgjosh qëndrimet e partive politike. Së pari LDK tha që kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të ftojë përfaqësuesit e partive politike në takim konsultativ. Me rregulloren e punës së kuvendit debati në seancën konstituive nuk lejohet, pra është i ndaluar dhe theksohet shprehimisht. Duke qenë që ky debat, diskutimi në seancën konstituive është i ndaluar, nuk mund që të zhvillohet në seancën e kuvendit... Ne ishim të pranishëm në këtë takim”, tha Haxhiu.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quajti befasi të radhës kërkesën e PDK-së që të dorëzohet dorëheqja, për çka thekson se një gjë e tillë është bërë.

Sipas saj, opozita ka tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Haxhiu: Befasia e radhës ishte PDK-ja që kërkoi dorëheqjen tonë

“AAK-ja tha që duhet të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Por, ne nuk mund të vazhdojmë me betimin e deputetëve e Kosovës...Befasia e radhës ishte PDK-ja që kërkoi dorëheqjen tonë. Pra sërish PDK-ja tha dorëzojeni dorëheqjen. Nuk e di çka po presin, të dalim në shesh, që të themi që ne dorëheqemi nga postet. Por, ne këtë e kemi bërë me shkrim secili nga ne përpara që seanca konstituive të fillojë atë ditë më 15 prill...është e qartë se ka tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për këtë vazhdon të mbahen përgjegjës partitë opozitare”, theksoi Haxhiu.

Ndryshe, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike, për mënyrën se si të procedohet tutje.

Sipas tij, konsultimet janë të nevojshme në mënyrë që “ të mos bëjmë shkelje ligjore dhe kushtetuese”.

Ai tha se presidentja Vjosa Osmani nuk ofroi zgjidhje përfundimtare. Dehari tha se Osmani kërkoi që partitë të gjejnë vullnet për ta zhbllokuar situatën.

Deputetët e zgjedhur u mblodhën sot më 17 prill në një tentim të dytë për konstituimin e Kuvendit.

Abdixhiku: Ndërprerja e seancës vendim i paligjshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku e quajti shkelje të rendë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.

Abdixhiku mes tjerash tha se Dehari që sipas tij ka rastisur të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje veproi padrejtësisht.

Kjo pasi sipas tij, kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

Shtyhet seanca edhe për 48 orë

Është shtyrë edhe për 48 orë të tjera seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka njoftuar kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i cili tha se nuk kanë gjetur koncenzus me partitë opozitare për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave.

Seanca tjetër është ftuar për të shtunën më 19 prill, ora 12:00.

Haxhiu: Ka tendencë të hapur për bllokimin e konstituimit

Albulena Haxhiu nga LVV tha se mori pjesë në konsultime me kryesuesin Dehari.

Gjatë mbledhjes, sipas saj, LDK tha se shprehu qëndrimin se Avni Dehari s’ka të drejtë t’i ftojë në takim konsultativ. AAK, tha Haxhiu, deklaroi se duhet vazhdohet ku mbeti seanca e parë.

Por, Haxhiu tha se deputetët s’mund të betohet pasi ka vendim për mosverifikimin e mandateve, ndërkaq PDK, sërish në takim ka kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë.

“Në këto rrethana nuk e dimë se si të vazhdojmë tutje. Por, është e qartë se ka tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e kuvendit dhe për këtë janë përgjegjëse partitë opozitare”, tha ajo.

Doarsa Kica-Xhelili: Dehari s'ka të drejtë të ftojë për konsultime përfaqësuesit e partive

Doarsa Kica-Xhelili nga LDK tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s'ka të drejtë që të ftojë akterët për konsultime politike.

Ajo tha ose Dehari duhet të kërkojë formimin e sërishëm të Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuorumit, ose të rivendosë në votim raportin e komisionit.

"LDK do të jenë në takim nuk e ka mandatin që të ftojë partitë politike në konsultime në këtë fazë", tha ajo, duke shtuar se partia nuk ka hequr dorë nga kërkesa që anëtarët e Qeverisë të japin dorëheqje para se të bëjnë betmin si deputetë.

Dehari i thërret përfaqësuesit e partive politike për konsultime

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, në nisje të vazhdimit të seancës, ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me atë se si të vazhdohet tutje.

Ai tha se këto konsultime janë të nevojshme në mënyrë që “të mos bëjmë shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.
Dehari tha se në letrën që presidentja Vjosa Osmani i dërgoi, nuk u ofrua një zgjidhje përfundimtare.

“Letra që na ka ardhur ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ajo kërkon nga ne deputetët që të gjejmë vullnet, forcë dhe mirëkuptim që ta zhbllokojmë situatën në Kuvend”, tha ai.

 

Rashiq: Partia me më së shumti vota të jetë bartëse e përgjegjësisë

Deputeti i zgjedhur, Nenad Rashiq, tha se është normale që partia me më së shumti vota të jetë bartëse e përgjegjësisë.

E kam thënë edhe më herët, nuk kam çka tjetër të shtoj.

Kam thënë se kam biseduar me kryeministrin dy herë dhe sa i përket meje e ritheksoj se është një gjë më normale që partia më së shumti vota që jetë bartëse e përgjegjësisë.

Çdo herë duhet të mendojmë për konstituimin duhet të themi se një parti që ka gjysmën e deputetëve shqiptarë, janë 48, po sigurt e bën”, tha Rashiq.

Bajrami: Ligji kërkon që ministrat të japin dorëheqje para certifikimit të zgjedhjeve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se ligji kërkon që ministrat në detyrë të japin dorëheqje para datës së cerifikimit tw zgjedhjeve.

Ne kemi në qëndrimet e njëjta. Po shpresojmë sot që deputetët i kanë përmbushur kushtet kushtetuese në mënyrë që të procedojmë me konstituimin e kuvendit dhe institucionet e Kosovës. Nuk është opozita që po bllokon kuvendin. Ligji kërkon që ministrat në detyrë të japin dorëheqje para datës së certifikimit.

Ne po kërkojmë që dorëheqjet të dorëzohen para votimit në kuvend. Askush prej opozitës nëse i kanë numrat nuk mund t’i bllokojë.

Tani jemi në një pikë tjëtër, në betimin e deputetëve. Kur vijmë te ajo pika, në qoftë se VV propozon kryetar të kuvendit të kenë edhe numrat”, tha Bajrami.

Hoti konfirmon mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së para seancës konstituive

Deputeti i zgjedhur i LDK-së Avdullah Hoti tha se do të mbajnë një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe do të vendosin se a do të votojnë miratimin e komisionit të përkohshëm.

Hoti: Kemi mbledhje të Grupit Parlamentar dhe do të vendosim

“Do të shohim tash kemi mbledhje të Grupit Parlamentar dhe do të vendosim”, tha Hoti.

Ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional dhe zgjedhjeve demokratike”.

Kujtojmë, pas konstituimit të Kuvendit, është mandatari i Qeverisë nga partia e parë fituese Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë, që të shfrytëzojë kohën për të siguruar votat e nevojshme për votimin e qeverisë, e cila duhet të ketë së paku 61 vota.

Në rast të dështimit të formimit të qeverisë, i takon partisë së dytë PDK-së të merr mandatin për formimin e qeverisë.

Abdixhiku: LDK nuk e shkel Kushtetutën, mos të bllokohen institucionet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pak para nisjes së vazhdimit të seancës konstitutive ka thënë se deputetët nga ky subjekt politik nuk do të shkelin Kushtetutën.

Ai ka bërë thirrje për mos bllokim institucional. “Deputetët e LDK-së nuk mund të shkelin Kushtetutën, nuk do ta bëjmë asnjëherë. Unë i ftoj të mos bllokojnë, të bëjnë betimin institucional siç ka qenë e paraparë në Ligjin me Qeverinë në vitin 2022, siç ka bërë LDK-ja në dy rastet paraprake. Në vitin 2017, qeveria e udhëhequr nga LDK, ka dhënë dorëheqje ka ardhur ka bërë betim. Kryeministri Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, nuk kishin ardhur në seancën konstituitive për të bërë betimin. Janë incizimet, ata kanë ardhur në seancën pasuese, pasi kanë dorëzuar mandatet”, ka thënë ai para mediave.

Abdixhiku ka përmendur praktikën e LDK-së, në kohën e qeverisjes së tyre.

“Është rregull demokratik të cilën LDK-ja e ka bërë edhe atëherë kur s’ka pasur ligj. Nuk duhet patjetër të kesh ligj për të qenë logjik. Logjika është e thjeshtë, s’mund të jesh edhe ministër, edhe deputetë. Ne nuk po themi që qeveria të mbetet pa zot, ne po themi që këta individë që i kanë këto funksione s’mund t’i shtojnë ato”, ka thënë Abdixhiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat