Pa konsensus, shtyhet edhe për 48 orë seanca konstituive - të shtunën seanca tjetër!

Aktuale

Pa konsensus, shtyhet edhe për 48 orë seanca konstituive - të shtunën seanca tjetër!

Më: 17 prill 2025 Në ora: 06:32 Përditësuar në ora: 12:05 më 17.04.2025
Kuvendi i Kosovës

Kurti nuk u përgjigj nëse Vetëvendosje i ka votat e nevojshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tashmë ka hyrë në Kuvendin e Kosovës ku pritet të fillojë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Para mediave ai nuk ka treguar nëse i ka numrat për konstitumin e Kuvendit.

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot në ora 12:00.

Seanca e sotme është vazhdim i seancës të së martës, ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Rexhaj: I kemi numrat dhe emrin e kryeparlamentarit – Me Nismën s’kemi koalicion zyrtar

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj tha se i kanë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të qeverisë së re.

Pak para se të nisë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, ai tha se do ta mbajnë një mbledhje.

Rexhaj tha se kryeministri në detyrë e ka emrin e kryeparlamentarit.

“Unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje – mbi bazën e diskutimeve që i kemi pasur në grupin parlamentar – i kemi numrat për ta bërë këtë gjë. Tashti është çështje që i takon edhe kryeministrit, qoftë emri i kryeparlamentarit – se e di që do të më pyesni – qoftë përbërjen e kabinetit qeveritar”, tha ai, duke shtuar se Albin Kurti “do ta shpalosë para qytetarëve në formën më transparente të mundshme”.

Rexhaj tha se nuk kanë marrëveshje me Nismën për koalicion qeveritar.

“Zyrtarisht nuk kemi asgjë. Ata që thonë që kemi, nuk është e vërtetë”.

Kadriaj: Vija të kuqe me VV-në, shkelën Kushtetutën

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se as Kryeministri, as kabineti i tij nuk kanë vepruar si duhet, dhe se kanë shkelur Kushtetutën.

Ajo ka theksuar se kanë vija të kuqe me Vetëvendosjen, andaj edhe nuk kanë pasur asnjë takim.

“Do të diskutojmë bashkë me deputetët. Ajo nuk ka qenë një dorëheqje, por vetëm një lajmërim. As Kryeministri, as kabineti i tij nuk kanë vepruar si duhet – ai ka bërë një shkelje kushtetuese dhe e keni parë qëllimisht si po shkelët.

Nuk kemi pasur takim dhe as nuk do të kemi, sepse kemi deklaruar qartë se kemi vija të kuqe me Vetëvendosjen. Nuk mund të votoj një kandidat që nuk i plotëson kriteret për të marrë votën time.

Ato kritere janë njerëzore dhe kombëtare. Nuk mund ta votoj Mimoza Kusarin, kur ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Radoiçiqin.”

OVL-UÇK me aksion para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë po zhvillojnë një aksion në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Nga kjo organizatë po shpërndajnë një fletë në të cilën është shkruar një betim që kërkohet që deputetët e legjislaturës së nëntë ta bëjnë, për t’u angazhuar në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.

Në këtë letër kërkohet që deputetët të adresojnë të gjitha “padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë”.

Aty po ashtu kërkohet krijimi i një mekanizmi mbikëqyrës ndaj Gjykatës Speciale, përfshirë një komision parlamentar që do të hetonte shkeljet procedurale dhe të drejtave të njeriut.

OVL-UÇK kërkon po ashtu nisjen e një debati institucional që selia e Gjykatës Speciale të kthehet në Kosovë dhe të funksionojë nën mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës.

Pse u ndërpre seanca e 15 prillit?

Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, kontestuan dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, të dorëzuar në Kuvend më 15 prill.

Ata thanë se dorëheqja zyrtare është dashur të bëhet më herët.

Kështu, ata votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

LVV-ja dhe Albin Kurti i akuzuan këto parti dhe Listën Serbe – që abstenoi – për shkaktim të një krize. Kurti tha se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ekzekutivi përmbylli mandatin e plotë katërvjeçar.

Megjithatë, njohësit e ligjeve thonë se ka paqartësi se kur duhet të jepet dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë. Ligji për Qeverinë, ndërkaq, kërkon që anëtarët e ekzekutivit, që zgjidhen deputetë, duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultatit zgjedhor, pra në këtë rast, para 27 marsit./REL

Vazhdon sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Sot në ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Partitë e opozitës, LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të votojnë raportin e verifikimit të kuorumit.

Dje presidentja Vjosa Osmani në përgjigjjen institucionale ndaj letrës së djeshme konstituive për institucionet e reja të vendit, ka theksuar se deputetët duhet të themelojnë dhe jo të bllokojnë proceset.

Ajo iu ka referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Aktgjykimin e saj në Rastin Nr. KO72120.

“Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: ‘asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke theksuar gjithashtu se qëllimi i Kushtetutës sonë është themelimi i shpejtë i institucioneve”, ka theksuar ajo.

Ndryshe, miratimi i mundshëm i raportit të verifikimit të kuorumit dhe mandateve të 120 deputetëve të rinj të legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i hapte rrugë betimit të tyre dhe propozimit dhe zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarëve të legjislaturës së 9-të.

Pas kësaj, do të shihet nëse partia fituese e zgjedhjeve ka numrat për ta krijuar qeverinë e re të vendit, përbërja e së cilës dhe numrat ende nuk dihen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat