Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se partitë politike nuk kanë të drejtë të debatojnë në seancën konstituive, derisa iu referua opozitës për mos pranimin e takimit konsultativ të ftuar nga kryesuesi, Avni Dehari, raporton KosovaPress.
Në një adresim për media, Haxhiu tha se sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryesuesi nuk ka të drejtë të ftojë përfaqësuesit e partive politike për takim konsultativ, derisa theksoi se Partia Demokratike e Kosovës insiston në diçka që sipas saj është bërë, dorëheqjen nga pozitat aktuale të qeverisë Kurti, raporton KosovaPress.
Haxhiu: Debati në seancë konstituive nuk lejohet, pra është i ndaluar dhe theksohet shprehimisht
"Siç e kuptuat kryesuesi i seancës para se të fillonte me rendin e ditës i ftoi në takim konsultativ konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike. Në këtë drejtim ne ishim në një takim konsultativ dhe është e habitshme që të dëgjosh qëndrimet e partive politike. Së pari LDK tha që kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të ftojë përfaqësuesit e partive politike në takim konsultativ. Me rregulloren e punës së kuvendit debati në seancën konstituive nuk lejohet, pra është i ndaluar dhe theksohet shprehimisht. Duke qenë që ky debat, diskutimi në seancën konstituive është i ndaluar, nuk mund që të zhvillohet në seancën e kuvendit... Ne ishim të pranishëm në këtë takim”, tha Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quajti befasi të radhës kërkesën e PDK-së që të dorëzohet dorëheqja, për çka thekson se një gjë e tillë është bërë.
Sipas saj, opozita ka tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Haxhiu: Befasia e radhës ishte PDK-ja që kërkoi dorëheqjen tonë
“AAK-ja tha që duhet të vazhdojmë aty ku kemi mbetur. Por, ne nuk mund të vazhdojmë me betimin e deputetëve e Kosovës...Befasia e radhës ishte PDK-ja që kërkoi dorëheqjen tonë. Pra sërish PDK-ja tha dorëzojeni dorëheqjen. Nuk e di çka po presin, të dalim në shesh, që të themi që ne dorëheqemi nga postet. Por, ne këtë e kemi bërë me shkrim secili nga ne përpara që seanca konstituive të fillojë atë ditë më 15 prill...është e qartë se ka tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për këtë vazhdon të mbahen përgjegjës partitë opozitare”, theksoi Haxhiu.
Ndryshe, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultim përfaqësuesit e subjekteve politike, për mënyrën se si të procedohet tutje.
Sipas tij, konsultimet janë të nevojshme në mënyrë që “ të mos bëjmë shkelje ligjore dhe kushtetuese”.
Ai tha se presidentja Vjosa Osmani nuk ofroi zgjidhje përfundimtare. Dehari tha se Osmani kërkoi që partitë të gjejnë vullnet për ta zhbllokuar situatën.
Deputetët e zgjedhur u mblodhën sot më 17 prill në një tentim të dytë për konstituimin e Kuvendit.