Qindra avokatë që punojnë në Kosovë, duhet të dorëzojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, pasqyrat financiare përfshirë marrëveshjet me përmbaruesit dhe të dhëna nga bashkëpunimet me sektorin publik dhe privat për periudhën 2019–2024.
Kështu njoftoi Oda e Avokatëve të Kosovës, ditë më parë, duke e quajtur këtë si veprim të jashtëligjshëm e arbitrar nga ana e ATK-së, duke u thirrur në konfidencialitetin e rasteve që trajtojnë.
Megjithatë, nga Administrata Tatimore, duke mos treguar arsyen e një kërkese të tillë, kanë thënë se veprimet e tyre janë në përputhje të plotë me ligjin.
“Administrata Tatimore e Kosovës siguron se të gjitha aktivitetet operative dhe veprimet e saj zhvillohen në përputhje të plotë me kornizat ligjore në fuqi. Çdo veprim ndërmerret mbi bazën e dispozitave ligjore përkatëse, me qëllim të garantimit të transparencës, llogaridhënies dhe zbatimit të drejtë të obligimeve tatimore në Republikën e Kosovës. Sa i përket deklaratave të publikuara në media nga përfaqësues të Odës së Avokatëve të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës njofton se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare apo ndonjë formë tjetër të shqetësimit. ATK rithekson se ekzistojnë mekanizma të qarta institucionale për adresimin e të gjitha shqetësimeve apo dyshimeve që lidhen me veprimtarinë e saj. Çdo palë e interesuar – përfshirë edhe OAK, ka mundësinë që përmes kanaleve zyrtare dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, të paraqesë ankesa apo kërkesa për sqarime në lidhje me aktivitetet e Administratës Tatimore. Transparenca, profesionalizmi dhe respektimi i procedurave ligjore janë parimet themelore mbi të cilat ATK ushtron funksionin e saj”, kanë thënë nga ATK-ja
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, e konsiderojnë të paarsyeshme kërkesën e ATK-së.
“..nëse eventualisht ATK-ja ka dyshime të caktuara për ndonjë avokat që i është shmangur tatimit apo ka bërë shkelje tjera tatimore atëherë specifikohet se çfarë është hetimi dhe vazhdohet me të ose nëse kemi të bëjmë me hapje të kontrollit.. deklarimi në masë që duhet ti marrim të dhënat nga rreth 700 avokatë ku ka edhe raste për avokatë që kanë ndërruar jetë është cenim i sigurisë juridike”, ka thënë Gzim Shala.
Nga Oda e Avokatëve të Kosovës, kryesia e së cilës ka mbajtur mbledhje pasditen e së martës, nuk kanë kthyer përgjigje, por siç mëson televizioni aty është vendosur që të njëjtit të takohen me përfaqësues së Prokurorisë, ATK-së e ministrisë së Financave.