Reagim i Sekretarit Organizativ, i Lëvizjes Vetëvendose Alim Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook u ka bërë thirrje, anëtarëve, aktivistëve dhe votuesve të kësaj partie bojkotimin e produkteve të Kompanisë Devolli.
Në një postim në Facebook, që është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të LVV-së, Rama ka thënë se pronarët e Devollit dhe medias Klan Kosova, ndonëse janë të vetëdijshëm për gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, Pejën dhe Gjakovën i quajnë “Pec e Djakovica” të Serbisë, kurse veten e tyre shtetas serb!
Postimi i plotë:
Paraja nuk mund ta ndryshojë historinë. Oligarkia nuk mund të na e fshijë kujtesën. Nuk ndërrohet kombësia që të shtohet pasuria. Nuk përfaqësohet Republika jonë nga pozita e armikut tonë.
Prandaj, si sekretar organizativ, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes, të gjithë votuesve e mbështetësve të VETËVENDOSJE!-s, që t’i bojkotojnë produktet e atyre që Kosovën e shohin si pjesë të Serbisë.
Pronarët e kompanisë Devolli e të mediumit Klan Kosova, janë të vetëdijshëm për gjenocidin mbi popullin shqiptar, por Pejën dhe Gjakovën e Republikës së Kosovës ata i quajnë Pec e Djakovica të Serbisë kurse veten e tyre shtetas serb! Nuk harrohet dhe as s’falet kurrë gjenocidi që na e ka bërë Serbia.
Për Pejën e për Gjakovën, për Kosovën anekënd sovrane e të pavarur, është derdhur gjak dëshmorësh e martirësh të panumërt, në periudha të ndryshme historike. Duhet ta nderojmë sakrificën e lartë të popullit tonë. Duhet t’i bojkotojmë këta pazarxhinj të ultë që mohojnë shtetin tonë.
Ju faleminderit.
Alim Rama