Osmani nga Finlanda: Kemi pasur vështirësi historike, nuk duam ndere, por procese meritore dhe integrim

Aktuale

Osmani nga Finlanda: Kemi pasur vështirësi historike, nuk duam ndere, por procese meritore dhe integrim

Më: 23 prill 2025 Në ora: 08:36 Përditësuar në ora: 13:04 më 23.04.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Osmani ndan dekoratë për ushtrinë finlandeze si shenjë falënderimi për shërbimin në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Finlandë ku është takuar me homologun e saj Alexander Stubb.

Osmani dhe Stubb, mbajtën një konferencë për media.

Aty e para e shtetit të Kosovës, ndau edhe një “medalje ushtarake” për ushtrakët finlandez si falënderim për shërbimin e tyre në Kosovës, në kuadër të KFOR-it.

7 mijë e 500 burra e gra nga Finlanda kishin shërbyer në uniformën e misionit ushtarak të KFOR-it.

Presidenti Alexander Stubb, u shpreh tejet i nderuar me këtë dekoratë nga ana e homologes së tij kosovare.

Ai tha se trupat e Finlandës do të vazhdojë të japin kontributin në KFOR, duke shtuar edhe angazhimin e tyre.

Osmani në Finlandë: Nuk duam ndere, por procese meritore dhe integrim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Finlandë, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidentin finlandez, Alexander Stubb, ku shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen historike dhe të vazhdueshme të këtij vendi ndaj Kosovës.

“Jam posaçërisht e nderuar që të jem në Finlandë, vendlindjen e të ndjerit Ahtisaari që është figurë madhore e paqes, lidershipi i të cilit e ka ndihmuar shtrimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Trashëgimia e tij mbetet gjithsesi e ndërthur në vet indin e Republikës sonë të sotme”, u shpreh presidentja Osmani në fillim të fjalës së saj.

Duke nënvizuar lidhjen e fortë mes dy vendeve, presidentja theksoi se populli i Kosovës do ta ruajë gjithmonë në zemër mirënjohjen për atë që Ahtisaari dhe Finlanda kanë bërë për Kosovën. Ajo veçoi miqësinë si një lidhje që nuk i takon vetëm së kaluarës, por është e gjallë, në rritje dhe e përqendruar në të ardhmen.

“Jemi krenar që t’ju quajmë një prej partnerëve tanë më të afërt dhe gjithsesi përkrahja finlandeze ka qenë afatgjatë edhe përmes kontributit në misionin e KFOR-it. Mbi 7 mijë ushtarë finlandezë, burra e gra kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, shtoi ajo, duke theksuar se do ta ketë nderin t’ia ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake Forcave të Armatosura të Finlandës, si një vlerësim të lartë për të gjithë përkrahjen në misionin e KFOR-it.

Presidentja Osmani bëri të ditur se me homologun e saj finlandez patën një diskutim të frytshëm mbi ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të afërta mes popujve dhe shteteve tona. Ajo e lidhi këtë me historitë e ngjashme të të dy vendeve përballë shtypjes dhe luftës për liri.

“Si dy vende që kemi pasur vështirësi historike kundër shtypjes e dimë shumë mirë çmimin e lirisë dhe mu për këtë Kosova dhe Finlanda kanë qëndruar të palëkundura me Ukrainën që nga dita e parë e pushimit rus. Pra, vendet tona duhet të vazhdojnë të ngritin zërin kundër ambicieve territoriale të Rusisë dhe mendësisë imperialiste të saj, duke stabilizuar kështu edhe arritjet tona institucionale”, tha Osmani.

Në vijim, e para e shtetit u ndal te proceset integruese euroatlantike të Kosovës, duke theksuar përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe respektimit të ligjit.

“Kosova sot ka nivelin më të lartë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe është midis ekonomive me arritjen më të shpejtë në rajonin tonë”, tha ajo, duke rikujtuar se përkundër përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës ende është në shqyrtim.

“Nuk duam ndere, nuk duam shkurtesa, thjesht duam procese meritore, integrim dhe përputhshmëri me vlerat evropiane, për të cilën gjë kemi pasur përkrahje nga Finlanda nga dita e parë,” theksoi Osmani, duke përgëzuar gjithashtu Finlandën për anëtarësimin historik në NATO, që sipas saj e ka bërë Evropën më të sigurt.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit të sigurisë, presidentja Osmani bëri me dije se sot i ka propozuar homologut të saj finlandez një marrëveshje më gjithëpërfshirëse ushtarake dhe të mbrojtjes mes dy vendeve. “Do të ishte hap i natyrshëm, kur demokracitë tona duhet të qëndrojnë krah për krah dhe do ta pasqyronte bashkëpunimin bilateral”, shtoi ajo.

Duke folur për raportet me Serbinë, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka zgjedhur dialogun si mjetin e vetëm për të zgjidhur çështjet e mbetura, duke potencuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

“Fqinji ynë nuk beson në këto parime, por i kemi zgjatur dorën tonë të bashkëpunimit, pasi duam të sigurohemi që fëmijët tanë, gjenerata e parë që ka njohur vetëm paqe e jo luftë, të mos kalojë më asnjëherë ato që i kemi kaluar ne”, nënvizoi Osmani.

Në përmbyllje të adresimit të saj presidentja Osmani falënderoi Finlandën për mikpritjen dhe për përfshirjen e suksesshme të diasporës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, krenar për identitetin, historinë dhe potencialin e vet – rininë brilante për të ofruar mundësi të reja bashkëpunimi.

Osmani nis takimet në Finlandë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ja nisur vizitën në Finlandë, me ftesë të presidentit Alexander Stubb.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se si udhëheqës të dy vendeve liridashëse do të diskutojnë angazhimin e përbashkët për ta thelluar partneritetin drejt ndërtimit të një të ardhmeje euroatlantike, më të fortë dhe më të sigurt për qytetarët.

“Kënaqësi ta filloj vizitën në Finlandë, me ftesë të mikut të çmuar të Kosovës, Presidentit Alexander Stubb. Si dy vende liridashëse, do të diskutojmë angazhimin e përbashkët për ta thelluar partneritetin tonë, drejt ndërtimit të një të ardhmeje euroatlantike, më të fortë dhe më të sigurt për qytetarët tanë.

Përpos takimeve me liderë shtetëror, do të kem kënaqësinë ta takoj edhe mërgatën tonë të jashtëzakonshme në Finlandë dhe t’u adresohem studentëve të Universitetit të Helsinkit”, shkruan Osmani.

Presidentja Osmani në Finlandë me ftesë të presidentit Stubb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb.

Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve.

“Në kuadër të vizitës, presidenti Stubb do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki. Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Finlandë, presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat