​Shala: Sot kemi tregje energjetike mbi baza etnike

Aktuale

​Shala: Sot kemi tregje energjetike mbi baza etnike

Më: 6 maj 2025 Në ora: 12:36
Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka ngritur shqetësimin lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Shala, në një konferencë për media të martën më 6 maj, tha se kjo rritje është selektive dhe diskriminuese.

Shala: Ka fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN

“Kemi një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik, kemi fitime të garantuara për kompanitë private KEDS, KESCO, NOA dhe GEN, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë. Qeveria, në vend që të mbrojë interesin publik, është kthyer në lobues dhe mbështetës të aferave korruptive. Sot kemi brenda territorit të republikës tregje energjetike mbi baza etnike. Sot kemi monopolizim mbi 90 % të importit të energjisë nga kompania GEN dhe NOA. Sot ne importojmë energji elektrike me çmim 100 % më shtrenjtë se në bursat ndërkombëtare. Sot bizneset që po pritet të dalin në tregun e lirë kanë marrë ofertat me 225% më shtrenjtë se çmimi aktual i bursës. Sot shumë biznese po mbyllen apo po ikin jashtë Kosovës, shihni rastin e “Feronikelit”. Sot kemi rënie të prodhimit në mënyrë drastike në KEK, e tërë politika e kësaj korporate është në favorizim të kompanive private importuese të energjisë”, theksoi ai.

Shala tha se në këtë “skemë të dështimit sistematik bëjnë pjesë KOSTT-i dhe ZRRE-ja, e cila me zell të paprecedent ka garantuar rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe është shndërruar në zëdhënëse edhe barrikadë mbrojtëse të qeverisë në shkuarje”, sipas tij duke “mbuluar në heshtje edhe aferat e mëdha korruptive”.

Ai shtoi se sapo të konstituohet Kuvendi, do të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim në menaxhimin e sektorit energjetik.

Shala: Sektori energjetik i degraduar

“Një sektor energjetik i degraduar, stabilitet i cenuar. Transparencë dhe konkurrencë e munguar. Interesi publik i nëpërkëmbur, dhe një klimë gjithnjë e më e rënduar për ekonominë dhe jetën e qytetarëve tanë. Të vetmit që kanë përfituar janë kompanitë tregtare dhe grupet klienteliste, për të cilat kjo qeveri ka kujdes të veçantë përmes emërimeve të kontrolluara në institucionet kyçe. Sot, më shumë se kurrë, duhet të flasim për energjinë si të drejtë dhe si nevojë publike. Pa energji të qasshme dhe të qëndrueshme, nuk mund të ketë as mirëqenie, as zhvillim”, shtoi deputeti i PDK-së.

Ai foli edhe për vazhdimin e seancës konstituive më 7 maj, ku tha se PDK-ja nuk do të ndryshojë qëndrim në votimin kundër Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Shala: Do të vazhdojmë të votojmë kundër Albulena Haxhiut për kryeparlamentare

“Kryetari Krasniqi çdo të dytën ditë pas seancave ka dhënë qëndrim dhe s’ka asnjë lëvizje nga qëndrimet që ka dhënë ai. Jemi në vazhdim e sipër për të përcjellur dhe monitoruar situatën. Juridikisht, jemi në pritje për të marrë dhe menaxhuar pjesën që na takon nga kushtetuta. Nuk komentoj deklarata dhe letra të askujt pasi janë të dedikuar për një subjekt tjetër dhe nuk hyj në atë temë. Kemi dhënë qëndrimet pse nuk e votojmë dhe s’ka asnjë ndryshim dhe se besoj kurrë se do të ketë ndonjë ndryshim”, përfundoi ai.

Deputetët kanë dështuar sërish më 5 maj të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi LVV-ja nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për kryeparlamentar.

Deri më tash janë bërë njëmbëdhjetë përpjekje të pasuksesshme.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut si e propozuar për kryeparlamentare, ndërkaq PDK dhe AAK po kërkojnë që të ndryshohet propozimi.

LDK, në anën tjetër, është shprehur kundër çdo propozimi të LVV-së.

Në dy përpjekjet e fundit për konstituim të Kuvendit, LVV ka kërkuar që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë, por kjo është kundërshtuar nga partitë e tjera.

Të hënën më 5 maj, kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar ftesë për marrëveshje politike Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i LDK-së ka thënë se së shpejti do të ketë përgjigje zyrtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat