​Kosova pa progres në të drejtat e njeriut, sipas raportit të shoqërisë civile

Aktuale

​Kosova pa progres në të drejtat e njeriut, sipas raportit të shoqërisë civile

Më: 15 maj 2025 Në ora: 12:59
Rrjeti për të Drejtat e Njeriut

Sulmet ndaj gazetarëve, ligjet kufizuese dhe mungesa e qasjes në informacion janë disa nga shqetësimet që shoqëria civile ka ngritur me rastin e publikimit të raportit vjetor për të drejtat e njeriut, të publikuar nga Rrjeti për të Drejtat e Njeriut.

Raporti i vitit 2024 evidenton një numër të madh shkeljesh në fusha të ndryshme duke theksuar se Kosova nuk ka shënuar progres të dukshëm, veçanërisht sa i përket mbrojtjes së grupeve të margjinalizuara dhe respektimit të lirive themelore.

“Liria e medias është në rrezik, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë përpjekje serioze për të miratuar Kodin Civil”.

Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Marigona Shabiu derisa ka renditur shkeljet që janë bërë në këtë drejtim, ka bërë thirrje për veprim dhe bashkëpunim për të gjitha institucionet publike, që të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut ashtu siç kërkohet me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

“Në 24 të drejta dhe aspekte të ndërlidhura të analizuara në këtë raport janë evidentuar një numër i madh shkeljesh dhe problemesh. Raporti konkludon se situata e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024 nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar, sidomos për grupet e margjinalizuara... Praktika tregon për një mungesë të theksuar të bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, dhe në të njëjtën kohë e shpërfaq mos përgjegjësinë institucionale për llogaridhënie dhe transparencë. Prandaj, ky raport është një thirrje e jona për veprim dhe bashkëpunim për të gjitha institucionet publike që të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut ashtu siç kërkohet me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi... Pavarësisht disa përparimeve, autoritetet e Kosovës kanë dështuar të mbrojnë të drejtat e njeriut plotësisht dhe denjësisht për të gjithë pa dallim. Nuk janë bërë përpjekje serioze për të miratuar kodin civil. Liria e medias është gjithnjë e më shumë në rrezik me ligje kufizuese, sulme ndaj gazetarëve dhe barriera për qasje në informacion”, ka thënë Shabiu.

Se mungesa e vullnetit politik pengon përparimin e barazisë në institucione dhe në përfaqësim politik, tha drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Luljeta Demolli.

“Është raport që janë në njëfarë mënyre kërkesat e qytetarëve, sepse të gjitha këto që kanë dalë në raport janë nga raportet e këtyre organizatave që janë kryesisht në terren, diku 40 organizata, të gjitha punojnë në terren, kanë zgjedh të dhënat e sakta. Sa i përket të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, në sistemin e Kosovës është i shtrirë në mënyrë horizontale dhe zinxhirore, duke filluar Kushtetuta e Kosovës që e njeh si rrallëherë në krejt Evropën si vlerë, prej këtu buron i gjithë ky sistem dhe mekanizëm për barazi gjinore që është në institucionet tona, por mungon ai vullneti politik, i institucioneve për t’i shtyrë çështjet... Ne e kemi parë që partitë politike edhe këto zgjedhje dhe në të kaluarën nuk i kanë përmbushur 50-50 edhe pse është ligji për barazi gjinore”, ka theksuar Demolli.

Drejtori ekzekutiv në Handikos, Afrim Maliqi ka thënë se gjendje kritike është evidentuar edhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët mbeten ndër grupet më të margjinalizuara në vend.

“Ne si gjithmonë, kontributet e tona, jo vetëm në këtë raport, por kanë qenë të vazhdueshme edhe në raportet tjera ndërkombëtare duke u munduar të pasqyrojmë gjendjen reale të personave me aftësi të kufizuar në vendin tonë. Personat me aftësi të kufizuar ende mbesin grup i diskriminuar, grupi më i varfër dhe margjinalizuar në vendin tonë. Po përmendi disa arsyeje, në sistemin arsimor janë të përfshirë vetëm 12 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuar, kjo tregon më së miri ku qëndron Kosova. 88 për qind jashtë sistemit arsimor, 88 për qind nuk kanë mbështetje rehabilituese, institucionale”, ka thënë Maliqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat