Vazhdon ngërçi, dështon për herë të 30-të konstituimi i Kuvendit

Aktuale

Vazhdon ngërçi, dështon për herë të 30-të konstituimi i Kuvendit

Më: 11 qershor 2025 Në ora: 07:44 Përditësuar në ora: 11:40 më 11.06.2025
Kuvendi i Kosovës

Dështon edhe përpjekja e 30-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Për herë të 30-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Nga deputetët që ishin në sallë, 52 votuan për, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Ndyshe në fillim të seancës i mbajt një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeministrit të Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi

Zemaj: Dyshohet se mafia energjetike i ka fut duart thellë në buxhetin e Kosovës, vjeshta e dimri do të jenë të papërballueshme

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar para vazhdimit të radhës së seancës për konstitumin e Kuvendit, duke thënë se nëse nuk ka bashkëpunim atëherë ky subjekt politik ka do të ndjek ‘‘elementet demokratike dhe kushtetuese’’.

Ai ka deklaruar edhe se LDK vazhdon ta mbështesë propozimin e saj për qeveri kalimtare dhe se ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin edhe me propozime konkrete.

‘‘Andaj sa më shpejt që ka thirrje të ndërgjegjes së zotit Kurti dhe të tjerëve, që ta kemi konstitumin e Kuvendit, dhe të kemi institucionet e reja, në fund të fundit, kur njerëzit nuk bashkëpunojnë atëherë janë elementet demokratike dhe kushtetuese që ne duhet tu japim zgjidhje. LDK e mbështet propozimin e saj për qeveri kalimtare, do të dalim me propozime konkrete se cilat janë pikat që mund të fillojë dhe mund të përfundojë në afat të shkurt’’, ka deklaruar ai.

Zemaj ka komentuar edhe protestën e bizneseve për çështjen e tregut të lirë të energjisë, duke thënë se ‘‘dyshohet se mafia energjetike i ka fut duart thellë në buxhetin e Kosovës’’.

I njëjti ka deklaruar edhe se protesta duhet të jetë më e madhe, dhe se, LDK do të bëhet pjesë e protestës nëse kanë ftesë.

‘‘Bizneset janë duke u përballë jo vetëm me shtrenjtimin por edhe me këtë keq planifikimit të tregut të energjisë elektrike, ajo çka kemi pa, dyshohet se mafia energjetike i ka fut duart thellë në buxhetin e Kosovës, dhe taksat e qytetarëve, por më së shumti në xhepin e varfër të qytetarëve. Mendoj që protesta duhet të jetë më e madhe edhe nga pjesa politike dhe nga gjithë të tjerët që të mos lejohet që të zhvatet buxheti i Kosovës. Po nëse ftohemi do të marrim pjesë, sepse ju i keni pa faturat e fundit i prekin edhe ekonomitë familjare, dhe sigurisht vjeshta dhe dimri do të jenë tepër të papërballueshme’’, ka thënë ai.

Duda Balje thotë se nuk është kontaktuar më për koalicion, bën përgjegjëse VV-në për bllokadën

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se qëndrimi i saj vazhdon të mbetet i njëjtë dhe se s’ka çfarë të deklarojë lidhur me bllokadën politike në vend.

Balje, e pyetur nëse është kontaktuar më për punë të koalicionit, ka thënë se s’ka ndodhur më diçka e tillë derisa ka shtuar se përgjegjësia për situatën dhe bllokadën politike është e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja ka thënë se përgjegjësia shkon me fuqinë.

“Kush ka më shumë fuqi ka më shumë përgjegjësi. Përgjegjësia shkon me fuqi”, ka thënë ajo.

Hasani: Sot hera e fundit, s’vi më në Kuvend për ta dëgjuar refrenin e njëjtë, Kurti duhet ta kuptojë se s’i ka fituar zgjedhjet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani tha se sot është “hera e fundit” që ai shkon në Kuvend për kosntituimin.

Ai tha para gazetarëve para tentimit të 30-të për konstituimin e Kuvendit se nuk do të shkojë më atje për ta dëgjuar “refrenin e njëjtë”

“Unë për herë të fundit sot vi. 30. Në libër të Guinnessit jemi. Jo nuk do të vi më”, tha Hasani.

Deputeti tha se kryetari i LVV-së, Albin Kurti “duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë: nuk i ka fitu zgjedhjet”.

“Është parti e parë, por nuk i ka fitu zgjedhjet. Kaq”.

I pyetur për takimin e tij me deputetët Arben Vitia e Shqipe Selimi, Hasani tha se nuk e ka problem të takohet edhe me Kurtin dhe Glauk Konjufcën.

“Ne jemi familjarë. Me zonjën Selimi jemi familjarë. Me Shqipen njihemi që herët. Cila është arsyeja unë mos me ndejtë unë me Shqipen, mos me bisedu me Shqipen, mos me diskutu me Shqipen?”.

“Ne diskutojmë. Unë i kam të hapura… rri me njerëz. Nuk jemi armiq mes vete. Këtë duhet ta kuptojmë. Ne jemi kundërshtarë politikë për zgjedhjen e pushtetit, për zhvillimin dhe ndërtimin e institucioneve, e këto janë mundësitë. Unë takohem edhe me Albinin, edhe me Glaukun, takohem edhe me Vitinë, edhe me Shqipen, edhe me të tjerët. Edhe me Albulenën. Nuk e kam ngarkesë takimin. Partia e parë është problemi që nuk hapë mundësi. Ata duhet ta hapin mundësinë dhe ne do t’i përgjigjemi”, tha Hasani.

Arben Gashi: S’ka sinjale për ndonjë ndryshim, por ka ardhë koha me gjet zgjidhjen

Arben Gashi nga LDK para nisjes së seancës ka thënë se nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim.

“Nuk ka sinjale për naj ndryshim, por besoj që ka ardhë koha me gjet zgjidhen dhe është kalu kohë përtej të arsyeshmes dhe klasa politike në Kosovë duhet me gjet zgjidhjen.

 LDK ka ofru një zgjidhje, nëse është e papranueshme për partinë që ka dalë e para atëherë le të bëjë veprimet e duhura sepse ka obligim me të drejtën që e ka fituar duke dalë partia e parë ka lind obligimi që me themelu institucionet e kuvendit, kur lind një e drejtë lind edhe një detyrim me automatizëm.”

Ai tha se VV ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit, por edhe ka “detyrimin” që ta bëjë shumicën.

Murati thotë se deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën

Deputeti nga radhët e LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se deputetët e ish-partive opozitare po e shkelin Kushtetutën duke mos votuar.

“Duhet deputetët ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim.

Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati.

Ai i referohet çështjes së votimit të komisionit për votim të fshehtë, ku deputetët e LVV-së po votojnë pro, ndërsa të tjerët nuk po marrin pjesë në votim.

Drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 30-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari të hënën vijuan punimet e seancës konstituive të Kuvendit, me pikën e mbetur të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. 

Kryesuesi Dehari kërkoi sërish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Nga subjektet e lartpërmendura nuk u deklarua askush.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj për sot, në orën 11:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat