Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dhënë detaje për takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Hungarisë, Laszlo Kover në Budapest.
Vjosa Osmani në Facebook ka ndarë disa fotografi, dhe ka treguar se në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror në përfitim të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Kosova është e vendosur që të çelë kapituj të ri të bashkëpunimit me Hungarinë dhe në të njëjtën kohë, t'i ruajë raportet historike dhe t'i fuqizojë lidhjet në mes popujve tanë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Hungari, dje është pritur me nderime ushtarake nga homologu i saj, presidenti Tamas Sulyok.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, të dy presidentët zhvilluan një takim bilateral, ku diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Vizita e Presidentes Osmani në Hungari vjen në një kohë kur Kosova po synon të zgjerojë bashkëpunimin me shtetet e BE-së, me fokus në fusha si ekonomia, arsimi dhe siguria.