“Lexues të dobët ose…”, Konjufca ‘thumbon’ opozitën pas vendimit të Kushtetueses, Haxhiu zbulon kur do të tërhiqet

Aktuale

“Lexues të dobët ose…”, Konjufca ‘thumbon’ opozitën pas vendimit të Kushtetueses, Haxhiu zbulon kur do të tërhiqet

Më: 27 qershor 2025 Në ora: 08:39 Përditësuar në ora: 11:00 më 27.06.2025
Foto ilustrim

Haxhiu: Nëse s’i marr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqem

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk i merr 61-votat e nevojshme për kryekuvendare në votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura për të paren e legjislativit, raporton KosovaPress.

Haxhiu në konferencë për media pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për krizën politike, ftoi partitë që deri tani ishin në opozitë të reflektojnë dhe të zgjidhin ngërçin në Kuvend.

Sipas saj, votimi i fshehtë nuk është anti-kushtetutes dhe kjo vërtetohet edhe pas aktgjykimit të kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij vendimi, brenda një muaji duke nisur nga sot deputetët e zgjedhur kanë 30 ditë të konstituojnë Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit- zgjedhjen e kryetarit të ri dhe nënkryetarëve të rinj, raporton KosovaPress.

Vazhdimi i tridhjetetetë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet sot nga ora 11:00.

Konjufca për aktgjykimin e Kushtetueses: Gjykata paralajmëroi, nuk është një instruksion

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe kandidatja e kësaj partie për kryeparalamnetare, Albulena Haxhiu, kanë dalë në një konferencë për media, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit.

Konjufca tha se gjykata nuk ka dhënë instruksione, por vetëm ka paralajmëruar.

“LVV gjithmonë ka vlerësuar që nëse partitë opozitare e bllokojnë kryetarin e Kuvendit, i njëjtë reciprocitet mund të shkojë me nënkryetarët e Kuvendit. Ne propozuam t’i vendosim të gjithë në pako, për emrat që do t’i propozojmë për kryetar dhe nënkryetarë. Gjykata ka paralajmëruar, nuk është një instruksion. Obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është i krejtve, jo vetëm i grupit që ka dalë i pari në zgjedhje”.

Ai tutje tha se partitë ish opozitare e kanë bllokuar Kuvendin, me qasjen e tyre.

“Propozimi ynë nuk hasi në mirëkuptim dhe pikërisht qasja e tyre ishte bllokuese, sepse zgjodhën të mos e votonin zonjën Albulena Haxhiu. Ne nuk i kishim automatikisht 61 vota, atëherë ne ndërmorëm një seri të veprimeve tjera, duke i gjykuar si veprime që do të mund t’i ndihmonin konstituimin të Kuvendit. Njëra prej veprimeve është ftesa dy herë me radhë e Kurtit për liderët e subjekteve politike, që të krijohet një marrëveshje politike”, shtoi ai.

Kujtojmë se megjithatë, Kushtetuesja nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, një nga pikat kyç të ngërçit në Kuvend.

Konjufca: Gjykata Kushtetuese s’ka gjetur shkelje në votimin e fshehtë për kryeparlamentar

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në propozimin për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Ai këtë e tha në një konferencë për media, të mbajtur së bashku me kandidaten e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, një ditë pas vendimit të Kushtetueses.

“Përmes propozimit për kryetar të fshehtë, Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur asnjë shkelje sa i përket votimit të fshehtë. Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e ka fshehur votimin për votim të fshehtë, unë mendoj se janë lexues të dobët, ose s’e kanë lexuar vendimin fare, ose e lexojnë gabimisht, ose e interpretojnë qëllimisht keq”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës detyron deputetët që të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nga konstituimi i tij.

Para seancës të Kuvendit, Konjufca e Haxhiu dalin në konferencë për media

Vetëvendosje mban sot konferencë për media para seancës konstituive të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë sot një konferencë për media, pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, i cili nuk ka zbuluar arsyet konkrete për thirrjen e konferencës.

“Sot, në orën 10:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban konferencë për media. Do të flasin Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. Konferenca mbahet në hollin pranë zyrës së Grupit Parlamentar të LV-së”, thuhet në njoftimin e shpërndarë ne Facebook

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat