Kurti takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë edhe për policin Spahiu që po mbahet nga Serbia

Aktuale

Kurti takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë edhe për policin Spahiu që po mbahet nga Serbia

Më: 27 qershor 2025 Në ora: 09:48
Pamje nga takimi

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi dje Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në këtë takim, që u zhvillua në kuadër të takimeve të rregullta dhe komunikimit të vazhdueshëm, u diskutua për temat aktuale e me interes të përbashkët, sikurse rezultatet nga samiti i NATO-s, që u mbajt në Hagë, përgatitjet për Samitin e Procesin e Berlinit që sivjet do të mbahet në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe konstituimi i Kuvendit.

Gjatë takimit, u ngrit edhe çështja e shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, për të cilin kryeministri tha se është arrestuar dhe vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim nga autoritete serbe, që nga data 7 qershor dhe se institucionet e Republikës së Kosovës janë duke u angazhuar për lirimin e tij.

Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen ndaj Kosovës dhe e uroi ambasadorin për festën kombëtare e zyrtare – Ditëlindjen e Mbretit Charles III.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat