Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se do të bëhet gjithçka për të arritur një përparim në tejkalimin e ngërçit politik.
Ai nuk ka dhënë detaje nëse ka bërë ndonjë kompromis, por ka përdorur fjalën “përparim” disa herë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të negociatave.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se duhet t’i jepet mundësi takimeve të tjera për të parë se cili është progresi.
“Diskutuam gjerë e gjatë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës, në dritën e Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta konstituojmë legjislaturën e nëntë. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura dhe konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pas të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet Kuvendit të ri të Republikës. Znj. Presidente gjatë ditës do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive tjera politike dhe mbase në fund mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Le t’i japim shansin edhe takimeve tjera deri në fund për të parë se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar të gjithë”, ka shkruar Kurti.